-900-0-1775145585xergvfggb-467

Kandidimi i Erion Braçes për Bashkinë e Tiranës mund t’i heqë një aleat Sali Berishës. Këtë e ka paralajmëruar kreu i Partisë Agrare dhe Ambientaliste, Agron Duka, i cili u shpreh publikisht se, nëse deputeti socialist vendos të kandidojë, ai do t’ia japë votën.

“Nëse Braçe vendos të kandidojë, unë do t’i jap votën time. Votat i ka edhe sigla e partisë. Unë e deklaroj, nëse del Braçe, i jap votën time, është njeri që ia vlen. Është një njeri që ia vlen, me eksperiencë dhe kontribut më të madh se shumë të tjerë brenda PS-së. Ka gjithashtu një nuhatje të mirë politike”, tha ai.

Por deklarata e Dukës është një kambanë alarmi për aleatin e tij opozitar, Partinë Demokratike, dhe vetë Berishën, i cili, në këtë situatë ku ndodhet, me një parti që ende nuk i bashkon demokratët dhe me përjashtime të shumta, po rrezikon të humbasë edhe aleatët politikë.

Mbetet për t’u parë se si do të reagojë Berisha pas deklaratës së Dukës: nëse do ta thërrasë për t’i bërë një ofertë më të mirë politike në zgjedhjet lokale që t’i ndryshojë mendjen, apo do ta “vetëpërjashtojë”, njësoj siç ka bërë me demokratët brenda partisë.