-640-0-whatsapp-image-2026-03-26-at-152207-1774535086

Pas betimit në krye të Policisë së Shtetit, drejtori i ri, Skënder Hita, mbajti fjalën e tij të parë, duke theksuar përgjegjësinë e lartë që merr përsipër në këtë detyrë.

“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem!”, u shpreh ai gjatë ceremonisë, në prani të zyrtarëve të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.

Hita e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme në karrierën e tij, duke theksuar se ka nderin të marrë detyrën më të lartë në këtë institucion. Ai falënderoi kryeministrin dhe qeverinë për besimin, si dhe shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e policisë që shërbejnë në terren.

 

 

Drejtori i ri theksoi se sfida kryesore mbetet thellimi i rezultateve dhe rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Ai u zotua për një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga vetë radhët e policisë. “Forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit janë misioni im”, deklaroi Hita, duke nënvizuar prioritetet e tij në drejtimin e institucionit.