gent-sejko

Në fund të vitit 2024, rreth 76% e stokut të përgjithshëm të kredive bankare në Shqipëri ishte i mbështetur me kolateral, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Kjo përfaqëson një rritje të lehtë krahasuar me nivelin 75% të regjistruar një vit më parë.

Pasuritë e paluajtshme mbeten forma kryesore e sigurimit të kredive, duke mbuluar 61% të kredive të kolateralizuara dhe 46% të gjithë stokut të kredive bankare. Gjatë vitit 2024, kreditë e mbështetura nga prona rezidenciale shënuan një rritje prej 9% në bazë vjetore.

Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar për rritjen e ekspozimit të sistemit bankar ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme, duke theksuar rrezikun e luhatjeve të çmimeve të pronave. Për të përballuar këto rreziqe, janë zbatuar masa mbikëqyrëse të reja, përfshirë rregullore të posaçme për raportimin dhe monitorimin e huadhënies për pasuritë e paluajtshme.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar kufij të rinj për kreditë hipotekare, duke vendosur raportet maksimale të kredisë ndaj vlerës (LTV) si më poshtë:

  • 85% për banesat e para në lekë dhe 75% në valutë;

  • 80% për banesat e dyta në lekë dhe 70% në valutë.

Për të frenuar rritjen e shpejtë të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë ka vendosur për herë të parë një tampon kapitali kundërciklik. Ky tampon u vendos në nivelin 0.25% në qershor 2024 dhe u rrit në 0.5% në dhjetor, duke hyrë në fuqi përkatësisht më 30 qershor dhe 31 dhjetor 2025. Masa synon të forcojë qëndrueshmërinë e sektorit bankar përballë cikleve ekonomike. /gazetajone