-640-0-kuvendi-i-shqiperise-1-1024x683-1774987678

Të Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të enjten seancën e radhës plenare ku pritet të zgjidhen anëtarët e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës si dhe një anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Propozimet e Partisë Socialiste për Bordin e Autoritetit të Konkurrencës janë Denar Biba dhe Eldian Balla, ndërsa me propozim të Këshillit të Ministrave, pritet të zgjidhet Diana Dervishi për Këshillin Drejtues të AKEP-it.

Në rendin e ditës janë planifikuar gjithashtu dy interpelanca.

Njëra do të jetë me kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku, dhe një tjetër me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili do të përballet me tre deputetë opozitarë, Klevis Balliu, Arjan Ndoja dhe Erald Kapri.

Seanca e së enjtes, që nis në orën 10:00, përfshin gjithashtu shqyrtimin e disa projektligjeve dhe projektvendimeve, mes të cilave:

 -Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006″.

-Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ”.

-Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik, bërë në Najrobi, më 26 shtator 1981”.

-Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.58/2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin parqeve teknologjike dhe shkencore””.

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019,“Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar”.

-Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 61/2025, “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

-Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

Seanca do të vijojë me diskutime dhe pyetje-përgjigje për secilin projektligj, si dhe me çështje të tjera jashtë rendit të ditës.