Gazetarja Klodiana Lala, gjatë një interviste në MCN TV, ka hedhur dritë mbi problematikat serioze që po shoqërojnë proceset zgjedhore në disa qytete të vendit. Duke folur për vonesat në hetime dhe për situatën e kriminalitetit zgjedhor, Lala u shpreh se qytete si Durrësi dhe Elbasani përballen me skenarë të ngjashëm me ato të Kolumbisë, ku vota blihet ose merret me forcë.
“Durrësi nuk ka nevojë, është si Kolumbia sot. Elbasani po ashtu. Edhe po nuk e shite votën, ta marrin me kallash te koka. Koha do ta tregojë, se diku do të mbetet një provë,” – tha Lala.
Në vijim, gazetarja solli një shembull konkret mbi mënyrën sesi funksionojnë hetimet në Shqipëri. Ajo përmendi rastin e pyetjes së zyrtarit Arbjan Mazniku në Prokurorinë e Tiranës, duke theksuar vonesat e mëdha të drejtësisë.
“Para pak ditësh kam raportuar për pyetjen e zotit Arbjan Mazniku në Prokurorinë e Tiranës. Zoti Mazniku nuk u denoncua direkt, ishte Këllici që kallëzoi zotin Veliaj për një rrugë. Prokurorisë iu deshën dy vjet. Vetëm pas dy vitesh u thirr për ta marrë në pyetje. Sot, pasi është marrë dëshmia e zotit Mazniku, pas dy vitesh, po bëhet gati dosja për SPAK,” – deklaroi ajo.
Lala vuri në dukje se edhe pse hetimet mund të nisin sot, efektet e tyre ndihen shumë më vonë, duke bërë paralelizëm me dosjet e famshme “184” dhe “339”, të cilat sollën në vëmendje blerjen e votës në zgjedhje, por që nuk prodhuan rezultatet e pritura për një kohë të gjatë.
Në përfundim, gazetarja theksoi se, nëse nuk ka bashkëpunim mes qytetarëve dhe institucioneve, fenomeni i kriminalizimit të zgjedhjeve nuk mund të ndalet.
“Nëse nuk ka bashkëpunim mes qytetarëve dhe institucioneve, nuk mund t’u kërkohet vetëm policisë dhe prokurorisë,” – përfundoi Lala. /gazetajone



