Godina e ish-Shkollës së Rezervave në Shkodër, apo siç njihet ndryshe si “pallati i beqarëve”, është burimi i konfliktit mes disa palëve që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë dhe plagosjes së dy të tjerëve. Bëhet fjalë për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku strehohen 31 familje. Ndërsa familja Shkëmbi pretendon pronësinë e të gjithë godinës.
Në vitin 1992, 31 familjet familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkëmbit janë të falsifikuara, nga ana tjetër, familja Shkëmbi kërkon të nxirren jashtë 31 familjet.
Gjon Shkëmbi është xhaxhai Elvis Shkëmbi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Dy vite më parë, Gjoni ishte denoncuar nga 31 familje në Shkodër, duke thënë se u kishte marrë shtëpitë. Pas këtyre akuzave ai kishte dalë publikisht me një deklaratë për mediat duke mohuar akuzat.
Por, çfarë deklaronte dy vite më parë Gjon Shkëmbi? Pas akuzave të banorëve, Gjon Shkëmbi kishte reaguar për mediat duke pretenduar se është pronari i godinës dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt që i ka fituar përmes proceseve gjyqësore. Një ditë pas padisë në polici dhe akuzave të banoreve për thyerje të banesave dhe kërcënime, Gjon Shkëmbi reagoi publikisht për mediat, ku madje kërkonte nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të tij.
Në vitin 2020, zyra private e përmbarimit e kthyeu mbrapsht me pretendimin se personi që pretendon se është pronari i tokës, ka dokumentet false. Që atëherë, çështja e 31 familjeve në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër, është zvarritur neper dyert e institucioneve. Por mbrëmjen e së hënës, banorët protestuan përpara komisariatit të policisë, pasi pretendojnë se personi në fjalë po dhunon banesat e tyre.
Çështja e pronësisë pati një përfundim akoma dhe më fatal, pasi gjyqtari Astrit Kalaja që po e shqyrtonte këtë çështje, u vra në krye të detyrë pikërisht për shkak të vendimit të dhënë. Në gjyqin e sotëm, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm dha vendim jo në favor të autorit dhe familjes së tij.



