-640-0-sali-berisha-spak1-scaled-1746444821

Ish-kryeministri Sali Berisha është njoftuar të paraqitet këtë të premte, më 14 nëntor, në orën 10:00, në ambientet e SPAK, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 janarit 2011.

Në fletëthirrjen e dërguar nga Struktura e Posaçme thuhet se “për nevoja të hetimit, me urdhrin e datës 03.11.2025, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha”. Dokumenti i është dërguar në tre adresa zyrtare: në Kuvendin e Shqipërisë, në selinë e Partisë Demokratike dhe në banesën e tij private.

Thirrja e Berishës vjen pak ditë pasi më 30 tetor para SPAK është paraqitur edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili u pyet si person në dijeni për ngjarjen ku u vranë katër protestues,  Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika — gjatë protestës së 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë.

Në atë kohë, Lulzim Basha mbante postin e ministrit të Brendshëm, ndërsa Sali Berisha ishte kryeministër. Hetimi i SPAK synon të sqarojë rolin e tyre dhe të zyrtarëve të tjerë shtetërorë të kohës në ngjarjen e rëndë që tronditi vendin.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka regjistruar procedimin penal për veprat “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “shpërdorim detyre” dhe “kryerje veprimesh që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar detyrimin për hetimin e përgjegjësive të ish-kryeministrit Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Basha, ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe zyrtarëve të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.

Kjo është hera e parë që SPAK e thërret zyrtarisht Sali Berishën për çështjen e 21 janarit, një dosje që ka mbetur e hapur për më shumë se një dekadë dhe që pritet të rikthejë sërish në qendër të vëmendjes një nga ngjarjet më të debatueshme të tranzicionit shqiptar.