Aldo Avdylaj, i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Arrestimi i Avdylajt vjen pak ditë pasi SPAK goditi më 2 tetor një organizatë kriminale të përfshirë në vrasjen e Bregut, e cila sipas hetimeve ishte kryer për hakmarrje.
Grupi kriminal i drejtuar nga Astrit Avdylaj
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, veprimet e kundërligjshme të vrasjes me paramendim, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve ishin kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, i drejtuar nga Astrit Avdylaj, i arrestuar më parë në kuadër të dosjes “Revanshi”.
SPAK nënvizon se Astrit Avdylaj dhe nipi i tij, Aldo Avdylaj, dyshohen si porositës të vrasjes së Edmir Bregut, “në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij”.
Në total, SPAK lëshoi nëntë masa arresti, prej të cilave pesë u ekzekutuan menjëherë, ndërsa katër persona mbetën në kërkim, përfshirë edhe Aldo Avdylajn, i cili tashmë ndodhet në pranga.
Arrestime të tjera dhe lidhjet me falsifikimin e pronave
Në të njëjtin operacion, me urdhër të SPAK, u arrestua edhe Ene Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, ndërsa në krye të një organizate tjetër kriminale, që merrej me falsifikimin e dokumenteve për tjetërsimin e pronave, qëndronte Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.
Në kuadër të këtij hetimi u prangos edhe Vullnet Muçi, vëllai i Lahos, ndërsa SPAK bëri të ditur se grupi kishte falsifikuar dokumente të pronësisë të lëshuara në mënyrë të paligjshme nga zyrat e Kadastrës dhe komisionet e ndarjes së tokës në fshatrat Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj.
“Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin regjistroheshin në emër të fshatarëve të zonës, të cilët në shumë raste nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive,” – sqaron SPAK.
Hetimet vijojnë
Aktualisht, në kërkim vijojnë të jenë dy ekzekutorët e dyshuar të vrasjes së Edmir Bregut, një prej të cilëve është identifikuar si Alfred Doka, ndërsa identiteti i tjetrit nuk është bërë ende publik.
Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për të zbardhur të gjithë zinxhirin e personave të përfshirë, përfshirë edhe lidhjet mes grupit të Avdylajve dhe skemave të falsifikimit të pronave në zonën e Durrësit.



