Meksika ka dislokuar rreth 10 mijë trupa për të vënë nën kontroll përplasjet e dhunshme që shpërthyen pas vrasjes së njërit prej bosëve më të kërkuar të drogës në vend, njoftuan autoritetet të hënën.
Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si El Mencho, kreu i Jalisco New Generation Cartel (CJNG), u plagos të dielën gjatë një shkëmbimi zjarri me ushtrinë në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco dhe vdiq gjatë transportimit ajror drejt Mexico City, sipas ushtrisë.
Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi një valë dhune në mbarë vendin. Anëtarë të kartelit bllokuan rrugët në 20 shtete, dogjën automjete, biznese dhe institucione publike. Sipas sekretarit të Sigurisë, Omar Garcia Harfuch, të paktën 25 anëtarë të Gardës Kombëtare u vranë në përplasjet që pasuan.
Harfuch bëri të ditur se mes viktimave janë edhe një roje burgu, një punonjës i prokurorisë shtetërore dhe rreth 30 persona të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale të Oseguera-s. Për “El Mencho” kishte një shpërblim prej 15 milionë dollarësh amerikanë për kapjen e tij.
Sekretari i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, tha se tetë persona të dyshuar si anëtarë të kartelit u vranë gjatë operacionit të forcave speciale, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.
Kaos dhe frikë në qytete turistike
Banorë të frikësuar u mbyllën në shtëpitë e tyre, ndërsa turistët kërkuan strehim në hotele dhe resorte. Të hënën, qeveria dërgoi edhe 2 mijë e 500 trupa shtesë në Jalisco, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA këtë vit, duke e çuar numrin total të forcave të dislokuara në 10 mijë.
Në Aguillila, vendlindja e “El Mencho”-s në shtetin Michoacán, banorët raportuan bllokada që në orët e para të së hënës. Në rrjetet sociale u shpërndanë foto që tregonin re të mëdha tymi mbi fshatin malor. Po ashtu, në kryeqytetin e Jalisco-s, Guadalajara, shkollat mbetën të mbyllura dhe shumica e transportit publik u pezullua.
Në qytetin turistik Puerto Vallarta, dhuna shkaktoi alarm mes vizitorëve, kryesisht amerikanë. Britania, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan paralajmërime udhëtimi, ndërsa Australia u kërkoi qytetarëve të tregojnë “kujdes të shtuar”. Dhjetëra fluturime nga SHBA-të dhe Kanadaja u anuluan.
Reagime ndërkombëtare dhe roli amerikan
Presidenti amerikan Donald Trump nuk reagoi drejtpërdrejt për vdekjen e Oseguera-s, por shkroi shkurt në platformën Truth Social: “Meksika duhet të intensifikojë përpjekjet kundër karteleve dhe drogës!”
Autoritetet meksikane konfirmuan se operacioni u ndihmua nga informacione inteligjence të ofruara nga SHBA-të. Shtëpia e Bardhë pranoi se Uashingtoni dha “mbështetje informative”, por presidentja Claudia Sheinbaum theksoi se asnjë forcë amerikane nuk mori pjesë drejtpërdrejt në operacion.
Gjatë bastisjes, u arrestuan dy persona të dyshuar dhe u sekuestrua një arsenal armësh, përfshirë raketahedhës të aftë për të rrëzuar avionë dhe shkatërruar mjete të blinduara.
CJNG është klasifikuar nga Uashingtoni si organizatë terroriste dhe akuzohet për trafikimin e kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe fentanilit drejt SHBA-ve. Analistët paralajmërojnë se mungesa e një pasardhësi të qartë për “El Mencho”-n mund të krijojë një vakuum pushteti dhe të ndezë riorganizime edhe më të dhunshme brenda kartelit.



