Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten e tij 75-vjeçare Dashuri Rrapaj dhe më pas veten, duket se situata në banesën e çiftit mbetet e tensionuar.
Gjatë nxjerrjes së trupit të Shefit Rrapaj ka mbizotëruar një atmosferë tejet e tensionuar, për shkak të reagimit dhe përplasjeve të shkaktuara nga të afërmit e Dashurisë.
Ndërkohë motra e Dashurisë është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, në gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.
“Në raportin e Policisë 3 ditë më parë, është konstatuar se ka pasur një konflikt familjar”, tha një banore e zonës.
Ndërkohë, një komshi ka deklaruar se të moshuarit që mbetën viktima ishin të respektuar në zonë dhe nuk kishin pasur probleme me njerëz të tjerë aty.
“Ishte nja nga gratë e rralla. Unë e respektoja tamam si motrën time. Tani sesi ndodhi nuk e di. Shefiti nuk e di. Alkool nuk konsumonte. I vetmi burrë që nuk konsumonte alkool. Mbase ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë qenë problemi.
Ai ishte një nga djemtë më të urtë në zonë. Kur ndodhi ngjarja isha andej nga bagëtitë e mia. Janë të ardhur këtu në fshat, kanë mbi 20 vite.
Kur i kam njohur, komshinjtë më të mirë që kisha. Sidomos zonjën, e kisha tamam si motrën time. Jetonin të dy vetëm. 9 fëmijët i kishin në emigracion”, tha një komshi i çiftit.
Po ashtu, edhe për një të afërm të çiftit, Shefiti dhe Dashuria nuk kishin pasur më parë probleme me njëri-tjetrin.
Ndërkohë ka dyshime të banorëve të zonës se djali i vogël i çiftit mund të ketë qenë shkak i konfliktit në familje, por këto pretendime ende janë të pavërtetuara.
“Ata kanë kaluar mirë. E mora vesh ngjarjen përmes televizorit. Ata kanë kaluar mirë. Ishin andej lartë nga malësia dhe erdhën këtu më pas.
Kanë 9 fëmijë, një këtu dhe 8 në Greqi. Di që ishin familje e rregullt. Nuk e di nëse ka qenë konflikt i çastit apo çfarë kanë pasur”, tha një i afërm i viktimave.



