wmremove-transformed-2

Lungomare në Vlorë po merr dita–ditës formën e plazhit të Durrës, Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, ku ndërtimet kaotike kanë sjellë prishje të brezit ranor apo mbipopullim. E njëjta gjë po ndodh edhe në jug të Shqipërisë, ku qeveria ka hapur “krahun”, duke dhënë, miratuar dhe zbardhur leje të shumta të ndërtimit.

Një vijë e gjatë e plazhit në Vlorë, duke filluar nga zona e Portit, Lungomares, Ujit të Ftohtë, Radhimës apo edhe Orikumit, është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Janë dhënë leje deri në breg të detit, në zonë ranore, me zallishte apo edhe ngjitur me ujin e detit, pavarësisht se duhet të ketë distancë.

Ndërkohë, krahas lejeve horizontale që kanë zaptuar sipërfaqe të stërmëdha dhe në distancë të madhe, tashmë lejet po jepen edhe vertikale, me kulla shumëkatëshe në zonën më të mirë të Vlorës, pjesën që quhet Lungomare. Vox Neës ka siguruar dokumentet e një tjetër leje që qeveria ka zbardhur javët e fundit, e cila bën fjalë për një çiban plot 37 kate, ngjitur me Shkollën e Marinës.

Me këto ndërtime, e gjithë ajo zonë e bukur po “polemizohet” nga ndërtimet kaotike apo shumëkatëshe, kur duhej të ishte krejt e kundërta, me ndërtesa me lartësi të njëjtë dhe me plan të mirëfilltë urbanistik. Por, ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha zonat, edhe Lungomare po shndërrohet dita–ditës në pallate të ulta, në pallate gjysmë të ulta, në kulla 15 kate dhe tashmë, në kulla 37 kate.

Dokumentet që hulumtoi redaksia jonë bëjnë fjalë për miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin “strukturë banimi dhe hoteleri me 2, 8, 35 dhe 37 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë”. Një përbindësh i madh, i cili do të ndërtohet nga subjektet zhvilluese “Hel-Pet”, me pronar Helidon Shaferrin, “Alb-Edil” me pronar Dritan Shahun e Astrit Kamberin si dhe nga “Texas Development” me pronar vëllezërit Efthimi.

Në dokumentet shoqëruese shkruhet se sheshi i ndërtimit ka një sipërfaqe prej 1015 m², përgjatë rrugës “Plazhi/13”, në zonën kadastrale 8602, Vlorë. “Prona kufizohet në lindje nga një godinë 4 kate, në veri nga një objekt banimi 8 kate dhe në perëndim nga pedonalja Lungomare. E pozicionuar ne afërsi me vijën bregdetare, prona përfiton nga lidhja e drejtpërdrejtë me detin dhe aksesi i saj me pedonalen perëndimore siguron një integrim funksional me flukset e këmbësorëve dhe hapësirat publike”, thuhet në dokumente.

Kullë 37 kate, si po masakrohet Vlora nga betoni

Vox Neës ka mësuar se sipërfaqja e katit është 616 m², teksa varianti i parë përmban 7 apartamente në kat, ndërsa varianti i dytë përmban 6 apartamente në kat. “Në të dy rastet, përmes orientimit dhe konfigurimit të volumit, është siguruar që çdo apartament të ketë pamje të drejtpërdrejt nga deti”, vijon dokumenti.

Sipas saj, materialet e përdorura në fasadë pasqyrojnë një qasje të kujdesshme që synon të ruajë lidhjen me peizazhin bregdetar dhe karakterin urban të qytetit të Vlorës. “Fasada është e veshur me pllaka betoni, që reflektojnë tonet natyrore të mjedisit përreth dhe krijojnë një harmoni me kontekstin lokal”, shkruhet në dokumente.