Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të hënë në favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryebashkiakun e kryeqytetit.
Sipas burimeve nga seanca, vendimmarrja është ndarë 5 me 3, në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte Veliajn nga detyra, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Me këtë vendim, anulohet edhe dekreti i Presidentit Begaj për caktimin e datës 9 nëntor si dita e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Në ankimimin e paraqitur në Kushtetuese, Veliaj argumentoi se mungesa e tij tre mujore në punë ishte e justifikuar dhe se nuk përbënte shkak ligjor për shkarkim.
Çështja është shoqëruar me debate të forta brenda trupës gjykuese, duke reflektuar ndarje të qarta qëndrimesh për ndërhyrjen e pushtetit ekzekutiv në nivelin vendor.
Si votuan anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Kundër dekretit të qeverisë (në favor të Veliajt) votuan:
-
Sandër Beci
-
Ilir Toska
-
Fiona Papajorgji
-
Marsida Xhaferllari
-
Mariana Semini
Pro dekretit të qeverisë (në favor të shkarkimit) votuan:
-
Genti Ibrahimi
-
Olta Zaçaj
-
Sonila Bejtja
Votimi i ndarë 5 me 3 nënvizon tensionin institucional dhe peshën e çështjes, në një moment kur balancat mes ekzekutivit dhe rendit kushtetues janë në qendër të debatit publik. Vendimi i sotëm rikthen Veliajn zyrtarisht në detyrë dhe mbyll përkohësisht përplasjen më të madhe politike të këtij viti në pushtetin vendor. /gazetajone



