Sot, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), zhvillohen dy seanca të rëndësishme paraprake, ajo për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Në orën 9:00, do të mbahet seanca për dosjen “Meta”, ku përveç tij janë të pandehur Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve. Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, pritet të vendosë sot nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
SPAK ka bashkuar në një çështje hetimet për aferën CEZ–DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Ndërkohë, në orën 10:00, GJKKO do të zhvillojë seancën paraprake për dosjen “Veliaj”. Përveç ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, në këtë dosje janë marrë të pandehur edhe 28 persona dhe shoqëri të ndryshme, përfshirë ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka.
Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për nëntë episode korrupsioni, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli, ndërsa Xoxa për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave. Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Veliaj po përballet gjithashtu me një betejë ligjore ndaj qeverisë, pas shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator. Ai e ka ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, çka ka pezulluar efektet e shkarkimit dhe ka bllokuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, derisa të shprehet gjykata më e lartë në vend.
Të dyja seancat pritet të përcaktojnë nëse dosjet “Meta” dhe “Veliaj” do të kalojnë për gjykim apo do të kthehen për hetime të mëtejshme.



