Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i shfuqizojë licencën institucionit financiar të parasë elektronike, Soft & Solution në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur nga SPAK në kërkim në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t.
Vendimi erdhi pasi Prokuroria e Posaçme lëshoi një urdhër arresti ndaj aksionarit të shoqërisë në fjalë, në dhjetor të vitit të kaluar, me akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Akuzat nuk lidheshin direkt me aktivitetin si institucion financiar, por megjithatë Banka e Shqipërisë ka gjykuar se ky institucion nuk plotësonte më kriterin e reputacionit të përshtatshëm të aksionarit për të kryer veprimtari financiare.
Soft & Solution ishte licencuar nga Banka e Shqipërisë si institucion i parasë elektronike, që prej nëntorit 2021. Megjithatë, ky institucion nuk kishte pasur aktivitet të këtij lloji deri vitin e kaluar, kur nisi ofrimin e shërbimeve të pagesave, nën markën tregtare ALPay.
ALPay ishte një nga subjektet e lidhura me platformën e-Albania, për kryerjen e pagesave për disa shërbime të institucioneve publike.
Në një precedent të ngjashëm, në vitin 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vendosi heqjen e licencës të institucioneve financiare jobanka Micro Credit Albania dhe Final, pasi mori informacion se ndaj aksionarëve të këtyre subjekteve ishte vendosur masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Mbështetur në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, një nga kriteret që duhet të plotësojnë në vazhdimësi subjektet financiare jobanka gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, është që themeluesit e subjektit të kenë reputacion të mirë. Gjithashtu, rregullorja përcakton se B?nk? ? Shqipërisë mund të pezullojë ose revokojë licencën e subjektit financiar jobankë, në rast se nuk përmbush më kushtet në bazë të të cilave ai është licencuar.
Licencimi i Soft & Solution ishte bërë mbështetur në të njëjtën rregullore, ndërsa rregullorja e re, e posaçme “Për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave” hyri në fuqi në fillim të vitit 2022.
Megjithatë, edhe rregullorja e re, në nenin 7 përcakton se një nga kriteret për refuzimin e licencës është kur vërtetohet se të paktën njëri nga themeluesit e shoqërisë është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Shfuqizimi i licencës së Soft & Solution e ka ulur numrin e institucioneve të licencuara të parasë elektronike nga 11 në 10.



