Zhdukja e një piloti amerikan pas rrëzimit të një avioni luftarak mbi territorin iranian ka ngritur shqetësime se ai mund të bjerë në duart e Iranit, duke u kthyer në një instrument presioni ndaj Shteteve të Bashkuara.
Operacioni i kërkimit për anëtarin e ekuipazhit vijon prej ditësh, me forcat amerikane që janë angazhuar intensivisht, ndërsa sipas zyrtarëve iranianë, edhe ushtria e Iranit po përpiqet ta lokalizojë atë, shkruan New York Times.
Në një sinjal të qartë të interesit për kapjen e pilotit, media shtetërore iraniane u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në kapjen e tij, duke premtuar shpërblim.
Sipas analizës së NYT-së, skenari i kapjes ngre paralelizma me “Krizën e pengjeve” në Iran, një episod që ka shënuar thellë marrëdhëniet mes dy vendeve për dekada.
Asokohe, 52 amerikanë u mbajtën peng për 444 ditë në ambasadën amerikane në Teheran, duke krijuar një precedent që, sipas ekspertëve, Irani e ka përdorur më pas si mjet presioni dhe propagande.
Eksperti i sigurisë Hamidreza Azizi vlerëson se në rast kapjeje, Irani mund të ndjekë dy strategji: negociata të fshehta për shkëmbim apo përdorim publik të pilotit për qëllime propagandistike.
Sipas tij, skenari i dytë është më i mundshëm, pasi do të shërbente për të demonstruar forcë dhe për të ushtruar presion politik.
Ndërkohë, zhvillimet në terren tregojnë edhe rrezikun e lartë të operacioneve në hapësira armiqësore.
Një helikopter Black Hawk u godit nga zjarri nga toka gjatë operacionit të kërkimit, por arriti të shpëtojë, ndërsa një avion tjetër luftarak u rrëzua në rajonin e Gjirit Persik, me pilotin që u shpëtua.



