karburante-new-768x504-1-750x492

Qeveria ka rikthyer për miratim projektligjin kontrovers për krijimin e rezervës së sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj, një nismë që parashikon një barrë shtesë fiskale prej rreth 300 milionë eurosh mbi qytetarët shqiptarë. Kjo shumë do të mblidhet përmes një tarife të re që do të përfshihet në çmimin e naftës dhe benzinës.

Rikthimi i një projektligji të kundërshtuar

Drafti, i publikuar në portalin e konsultimeve publike, detyron mbajtjen e një rezerve kombëtare të karburanteve të barabartë me tre muaj importe ose dy muaj konsum, cilado prej tyre të jetë më e madhe. Për vitin 2025, kjo përkthehet në 240 mijë tonë karburant, me vlerë afërsisht 200 milionë euro.

Kjo sasi do të administrohet nga një Autoritet Shtetëror i ri, që do të krijohet nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Taksë e re në çmimin e naftës

Sipas relacionit shoqërues, financimi i rezervës do të bëhet përmes një tarife që do të vendoset mbi çmimin fundor të karburanteve. Qeveria e quan “tarifë”, jo “taksë”, për të shmangur miratimin në Kuvend dhe për ta miratuar vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).

Në praktikë, kjo do të thotë se çdo qytetar do të paguajë më shumë për çdo litër nafte dhe benzine, me qëllim financimin e rezervës së sigurisë.

Kosto shtesë dhe mungesë transparence

Ekspertët paralajmërojnë se fatura reale do të jetë shumë më e lartë se 200 milionë euro, pasi përfshin ndërtimin ose marrjen me qira të depove të ruajtjes, kostot e transportit, fuqisë punëtore dhe mirëmbajtjes.

Në projektligj thuhet se qeveria do të kontraktojë operatorë ekonomikë për të ruajtur rezervat në depo me qira. Kostoja minimale për depozitimin e karburanteve llogaritet rreth 10 euro për ton në muaj, çka për 280 mijë tonë karburant arrin në të paktën 2.8 milionë euro në muaj, pa përfshirë shpenzimet shtesë.

Rreziku i abuzimeve dhe “sekserëve”

Projektligji parashikon që Autoriteti mund të delegojë detyra te operatorët privatë, duke hapur rrugë për kontrata të ndërmjetme që mund të favorizojnë klientë të afërt me pushtetin.

Në tekst thuhet se “Autoriteti mund të delegojë detyra për ruajtjen dhe menaxhimin e rezervave tek operatorët ekonomikë, përveç shitjes dhe blerjes së rezervave specifike”.

Kjo do të lejojë që mes qeverisë dhe pronarëve të depove të futen ndërmjetës privatë, që do të marrin me qira depot dhe t’i faturojnë shtetit me çmime më të larta, duke e kthyer projektin në një biznes të ri për klientët politikë.

Një operacion i rrezikshëm financiar

Karburantet kanë afat skadence, ndaj rezerva duhet të rinovohet vazhdimisht përmes blerjes dhe shitjes në treg, një praktikë që ngre shqetësime për humbje publike, ashtu siç ka ndodhur me tregtinë e energjisë elektrike.

Qeveria justifikon nismën me direktivat e Bashkimit Europian, por BE nuk kërkon domosdoshmërisht që rezervat të jenë shtetërore – ato mund të mbahen edhe nga kompanitë private në depot ose anijet e tyre.

Në thelb, projektligji pritet të rëndojë më tej mbi xhepat e qytetarëve, të cilët tashmë paguajnë një nga çmimet më të larta të naftës në Europë, ndërsa ngritja e një strukture të re shtetërore me kompetenca tregtare ngre pikëpyetje të mëdha për transparencën, efikasitetin dhe përfituesit realë të këtij operacioni. /gazetajonë