Që prej ditës së djeshme, qarkullimi në aksin Librazhd–Pogradec është bllokuar për shkak të shembjes së një pjese të rrugës dhe rrëshqitjes së dherave.
Gazetari Osman Stafa, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shpreht se fadromat kanë gërryer në shtratin e lumit Shkumbin për nxjerrjen e zhavorrit, çka mund të ketë ndikuar në destabilizimin e terrenit dhe, si pasojë, në rrëshqitjen e rrugës dhe dëmtimin e trasesë së hekurudhës.
“Ndodhem përbri lumit Shkumbin. Këtu lart meje ndodhet edhe vendi ku ka rënë asfalti. Shikoni çfarë kanë bërë kompanitë duke përdorur zhavorrin e lumit për ta përdorur tek ura.
Të vijnë këtu autoritetet për të verifikuar katastrofën që i kanë bërë lumit.
Shtrati i lumit është gërryer duke bërë që toka tek hekurudha të bjerë.
Pra, gjithë kjo situatë ka sjellë avarinë në këtë aks.
Prokuroria të hetojë a është dhënë sipas kritereve ligjore dhe a janë zbatuar rregullat siç duhet nga kompania”, shprehet gazetari Stafa.
Ndërkohë, kompanitë ANK dhe 2T, të drejtuara nga vëllezërit Kola dhe Sako, kanë përfituar miliona euro nga tenderët publikë për këtë segment rrugor.
Sot, ky aks përballet me shembje, plasaritje dhe kaos në qarkullim, duke izoluar juglindjen e vendit.



