Një atentat me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së dielës në Rrile të Lezhës, ku u qëllua me breshëri plumbash drejt një berberhaneje, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se 30-vjeçari nuk është shënjestër e sulmit, ndërsa në berberhane ndodheshin edhe 4 persona të tjerë, ndër ta edhe Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit.
Ka dyshime të forta që 21-vjeçari Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, për shkak se teksa largohej ai shfaqet në kamerat e sigurisë duke ecur me vështirësi.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar 2 automjete tip “Audi” dhe “Passat” që afrohen përpara sallonit, prej nga dalin 7 persona, dy prej së cilëve të armatosur me kallashnikov.
Nga brenda berberhanes ka qëlluar polici me inicialet B.K., patrullë e përgjithshme në komisariatin Lezhë-Mirditë, i cili ka deklaruar pas ngjarjes se reagoi për të parandaluar një sulm me pasoja fatale.
Në drejtim të sallonit janë qëlluar me mbi 30 plumb, 3 prej të cilave prekën Sokol Dacin, pronar i berberhanes.



