Në Shqipëri kemi rastin e parë të lisë së majmunit! Një 32-vjeçar është identifikuar si pacienti i parë në vendin tonë që ka rezultuar pozitiv me sëmundjen. Por, Instituti i Shëndetit Publik thotë se nuk ka vend për alarm, pasi pacienti 32-vjeçar nuk ka patur kontakte të ngushta me persona të tjerë në Shqipëri që prej datës 18 Maj kur ka rezultuar edhe pozitiv. Por ku ishte infektuar? Sipas të dhënave që janë bërë me dije, i riu shqiptar kishte udhëtuar në zonat e prekura, duke e sjellë virusin edhe në vendin tonë.
“Rasti është dyshuar në 18 Maj dhe më pas u konfirmua brenda 20 orëve nga ISHP. Nuk duhet të shtojmë panik, nga një puçër që është çarë apo është infektuar. Sigurisht që kujdes duhet. Personi në fjalë nuk ka pasur kontakte të tjera me persona të tjerë përveç një familjari të tij. Por nuk kishim kontakt të ngushtë të familjarit,”- thotë Eugena Tomini, drejtoreshë e ISHP. Po sipas specialistëve të ISHP-së, në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, të gjithë personat e vaksinuar deri në vitet ‘80 për linë e zezë, janë të mbrojtur edhe nga lija e majmunit.
Lidhur me rastin e parë në Shqipëri, ka folur edhe mjekja shqiptare që jeton dhe punon në Gjermani, Aurora Dollenberg. Në një prononcim të dhënë për emisionin “People”, ajo foli gjatë për sëmundjen.
“Në Shqipëri quhet lija e dhisë dhe e dhenve. Ajo ka gjithmonë variacione gjeografike dhe përhapet me shpejtësinë e erës, sidomos në moshën fëmijënore. Ajo përhapet në kohë rekord – 6 minuta – ku një fëmijë që bie në kontakt me lëkurën, pështymën ose me sipërfaqe që janë prekur nga persona të infektuar, e merr atë brenda disa minutave dhe i shfaqen flluskat e para, të mbushura me lëngun e lisë së majmunit. Mjafton që sipërfaqja e ambientit ku ndodhet fëmija ose i moshuari të jetë e padizinfektuar, që virusi të shpërndahet, qoftë nga kontakti me sipërfaqet e mobiljeve ose objektet që ka prekur një fëmijë i sëmurë. Virusi mbijeton dhe shndërrohet në burim infeksioni për atë ambient”, u shpreh mjekja.
Çfarë është lija e majmunit?
Lija e majmunit është një sëmundje virale që prek njerëzit dhe kafshët. Simptomat përfshijnë ethe, ënjtje të nyjeve limfatike dhe një skuqje që zhvillohet në flluska me lëng, të cilat më vonë mbulohen nga kore. Në shumicën e rasteve, sëmundja është e lehtë dhe pacientët shërohen brenda pak javësh, pa nevojë për trajtim të specializuar./gazetajone



