gjyqtari

Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes së rëndë që tronditi drejtësinë shqiptare më 6 tetor, kur në ambientet e Gjykatës së Apelit të Tiranës u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë arrestuar tre persona të përfshirë në këtë krim: autori i dyshuar Elvis Shkambi, 30 vjeç, nipi i tij Gëzim Shkambi, 56 vjeç, si bashkëpunëtor në ngjarje, dhe B.K., 63 vjeç, punonjës sigurie në gjykatë, i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi lejoi hyrjen e autorit të armatosur.

Vrasja në sallën e gjyqit

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:35, në sallën nr. 3 të gjykatës, ku gjyqtari Kalaja po shqyrtonte një çështje civile me objekt “kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Sapo gjyqtari shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori armën e zjarrit nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij, duke e plagosur për vdekje.

Gjyqtari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por ndërroi jetë rrugës si pasojë e plagëve të marra.

Menjëherë pas krimit, autori qëlloi edhe ndaj dy personave të tjerë, R.K. dhe E.K., të cilët ishin palë në proces, duke i plagosur. Të dy ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Hyrja pa kontroll në gjykatë

Hetimet paraprake zbuluan se autori dhe xhaxhai i tij kishin hyrë në gjykatë pa asnjë kontroll sigurie. Në orën 13:42, kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur ata kaluan përmes pajisjes së skanerit metalik, e cila sinjalizoi praninë e metaleve.
Megjithatë, punonjësi i sigurisë B.K. nuk ndërhyri, nuk kreu kontroll fizik dhe as nuk i regjistroi në librin e protokollit, duke lejuar hyrjen e tyre me armë në ambientet e brendshme të gjykatës.

Pas hyrjes, autorët qëndruan për më shumë se dy orë e gjysmë në hollin e pritjes, deri në momentin kur seanca nisi.

Roli i bashkëpunëtorëve

Sipas hetimeve, Gëzim Shkambi, xhaxhai i autorit, ka qenë në dijeni të planit për vrasjen e gjyqtarit dhe ka vepruar si shtytës ose ndihmës në kryerjen e krimit. Ai nuk ndërhyri në asnjë moment për ta ndaluar nipin, ndonëse ishte prezent gjatë gjithë ngjarjes.

Pas vrasjes, Elvis Shkambi i dorëzoi armën e krimit një nëpunësi gjyqësor në një sallë tjetër dhe u përpoq të largohej. Ai u neutralizua dhe u arrestua në oborrin e gjykatës, pak minuta pas ngjarjes.

Akuzat dhe provat e sekuestruara

Në përfundim të hetimeve paraprake, policia njoftoi arrestimin në flagrancë të tre personave:

  • E. Sh. (30 vjeç), për vrasje të funksionarëve publikë në bashkëpunim, vrasje në tentativë ndaj dy ose më shumë personave dhe mbajtje pa leje të armëve;

  • G. Sh. (56 vjeç), për bashkëpunim në vrasje të funksionarëve publikë dhe vrasje në tentativë ndaj dy ose më shumë personave;

  • B. K. (63 vjeç), për shpërdorim detyre.

Si prova materiale janë sekuestruar arma e krimit (pistoletë me tre fishekë) dhe pamjet filmike të sigurisë që dokumentojnë hyrjen dhe lëvizjet e autorëve në gjykatë.

Materialet hetimore i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë, ndërsa institucionet ligjzbatuese kanë paralajmëruar rishikimin urgjent të masave të sigurisë në gjykata në të gjithë vendin.