Pas mbledhjes së grupit, Edi Rama udhëtoi drejt Brukselit, ku ka takuar Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Kosta.
Prej ditësh, vizita e Ramës është komentuar si një takim i thirrur nga Kosta për t’i tërhequr vëmendjen lidhur me detyrimin për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë.
Por, burime zyrtare nga qeveria bëjnë me dijë se Rama është me një delegacion të vogël, ku shoqërohet në këtë udhëtim vetëm nga ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni dhe se takimi me Antonio Kostën është një darkë informale.
Në agjendë, sipas të njëjtave burimeve nuk ka takime zyrtare.
Zyra e shtypit e Presidentit të Këshillit Evropian tha për mediat shqiptare se:
“Takimi i Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa me kryeministrin shqiptar Edi Rama do të zhvillohet në mbrëmje. Kjo është një darkë pune, në kontekstin e dialogut politik që po zhvillohet me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE”.



