AKSHI-RAMA-MIRLINDA

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit duket se ka hyrë në një tjetër fazë turbulence institucionale, por këtë herë me një element të pazakontë: mungesën totale të komunikimit zyrtar. Prej orësh qarkullon në media lajmi se Mirlinda Karçanaj nuk është më në krye të AKSHI-t dhe se vendin e saj pritet ta marrë Igli Tafa, aktualisht drejtues i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike. Megjithatë, as qeveria dhe as vetë institucioni nuk kanë dalë me një njoftim të qartë për të sqaruar situatën.

Ligji nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike” është i qartë për këtë çështje. Neni 32 përcakton se drejtori i përgjithshëm i AKSHI-t “emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit”, duke dalluar dy koncepte të ndryshme juridike për largimin nga posti.

Sipas ligjit, lirimi nga detyra ndodh në disa raste specifike, ndër të cilat përfshihet edhe dorëheqja. Pra, nëse Karçanaj ka zgjedhur të largohet vetë, kjo duhet të materializohet përmes një dorëheqjeje formale dhe më pas një urdhri për lirimin e saj.

Ndërsa shkarkimi lidhet me situata më të rënda, si dënimi me vendim gjyqësor të formës së prerë, dëmtimi i institucionit për shkak të paaftësisë ose neglizhencës, performanca e ulët apo shkelje të rënda të detyrës. Janë kategori që mbartin peshë tjetër politike dhe administrative.

Por a kemi të bëjmë me një dorëheqje të vullnetshme, një dorëheqje të kërkuar në mënyrë informale, apo me një shkarkim të mirëfilltë që thjesht nuk është shpallur ende? Jo rrallë herё ka ndodhur qё dorëheqja vjen pasi lajmi ka dalë në media — dhe dokumenti firmoset më pas, thuajse për të vënë në rregull procedurën.

Në rastin konkret, rëndësi ka fakti që urdhri duhet të ekzistojë. Pa të, gjithçka mbetet në nivel spekulimi, ndërkohë që bëhet fjalë për një institucion që menaxhon infrastrukturën digjitale të shtetit dhe që aktualisht ndodhet nën hetim nga SPAK.

Nëse largimi konfirmohet, ai vendos një precedent të rëndësishëm: zyrtarët e lartë që hetohen duhet të hapin rrugë, pavarësisht nëse e bëjnë këtë me dorëheqje apo përmes shkarkimit. Dallimi juridik ka peshë, por mesazhi publik është edhe më i rëndësishëm — institucionet nuk mund të funksionojnë normalisht nën hijen e hetimeve.

Megjithatë, ajo qё ka rёndёsi ёshtё qё rasti “Mirlinda” tё kthehet nё një standard tё ri, e tё mos rrijё thjesht si një rast i izoluar, kur ka aktualisht jo pak raste zyrtarësh të lartё tё pezulluar apo nën hetim që vijojnë të qëndrojnë në detyrë. Në fund, më shumë se termat “lirim” apo “shkarkim”, ajo që kërkohet është transparenca — dhe ajo ende mungon.