-900-0-1760083857xauto-screenshot-71760004228-268

Analisti Fatmir Sheholli është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi. Ndërkohë, Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar një audiopërgjim ku është i përfshirë pikërisht Sheholli. Në audio, analisti dëgjohet duke folur për lidhjet me Listën Serbe dhe me Milan Radoiçiçin, i cili është i shpallur terrorist nga autoritetet e Kosovës.

“Unë jam me ta para së gjithash mik i madh, përndryshe edhe punojmë aktivisht. Pozita ime është shumë…për opinionin e çuditshme. Unë kam përkrahje të madhe në Serbi. Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka..Prandaj them që është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…do të thotë që unë duhet të…miku im i madh është Milan Radoiçiç. Miku im i madh, edhe mik i tyre. Kjo që po ndodh, këtë që po flasim merre me rezervë”, thotë Sheholli gjatë bisedës.

Lajmi i arrestimit të analistit u bë me dije nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla, i cili e cilësoi si “një nga aktet më të rënda” kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë. Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se arrestimi vjen pas hetimeve disa mujore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Gjithashtu, gjatë së enjtes njësitë relevante të Policisë së Kosovës kryen bastisje në vendbanimin e Shehollit, duke larguar nga vendi i ngjarjes provat materiale që mund të lidhen me hetimet.

Sheholli ka deklaruar herë pas here nëpër televizionet e Kosovës se ka punuar për shërbimin sekret serb (UDB) gjatë periudhës para shpërthimit të luftës dhe ka shërbyer edhe në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) pas luftës së fundit në Kosovë.