Prokuroria italiane ka kërkuar një dënim më të ashpër për autorin e vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar Klajdi Bitri, krim i ndodhur më 27 gusht 2023 në Sirolo, në provincën e Ankonës.
Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit në Ankona, Prokurori i Përgjithshëm Roberto Rossi paraqiti argumentet përfundimtare, duke kërkuar rishikimin e vendimit të shkallës së parë dhe rritjen e dënimit për 29-vjeçarin tunizian Fatah Melloul. Sipas akuzës, në vlerësimin fillestar nuk janë marrë plotësisht parasysh rrethanat rënduese, përfshirë motivet e dobëta që çuan në krim.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për motive trafiku. Melloul goditi për vdekje Bitrin me një pushkë me shtiza dhe më pas u largua me automjetin e tij. Ai u arrestua disa orë më vonë nga karabinierët në Falconara, teksa po kthehej nga bregdeti, ku kishte qenë për peshkim me partneren e tij.
Në shkallën e parë, gjykata e kishte dënuar autorin me 18 vite burg. Në seancën e apelit, i pandehuri bëri deklarata spontane, duke pretenduar se nuk kishte ndërmend të vriste dhe se veprimi i tij ishte i paqëllimshëm.
“Jemi qenie njerëzore dhe bëjmë gabime. Ishte një ditë e nxehtë dhe nuk kuptova çfarë po ndodhte. Mora shtizën vetëm për të trembur,” u shpreh ai, duke kërkuar falje për ngjarjen.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar rikualifikimin e akuzës, duke përfshirë elementë të vetëmbrojtjes dhe uljen e përgjegjësisë penale.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit pritet të jepet më 10 qershor, ndërsa familja e viktimës ka nisur edhe një proces civil për dëmshpërblim.



