IMG_1564

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar një skemë të sofistikuar kontrabande cigareje me qendër kompaninë “Albania Tabak”.

Hetimet e thelluara të SPAK kanë zbuluar një rrjet të mirëorganizuar që përfshin jo vetëm pjesëtarë të familjes, por edhe shtetas të huaj dhe zyrtarë të strukturave doganore.

Si funksiononte skema

Sipas SPAK, kompania “Albania Tabak” kishte aplikuar dhe përfituar nga Regjimi i Përpunimit Aktiv (RPA), një lehtësim fiskal që lejon importimin e lëndëve të para dhe eksportimin e produkteve pa taksa, me kushtin që produktet të dalin jashtë Shqipërisë. Kompania, që funksiononte në regjim fasoni, prodhonte cigare me markë të regjistruar për llogari të një “kompanie të huaj”, por hetimet treguan se kjo marrëveshje ishte fiktive dhe kishte si qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Zbardhet skema, ai bënin kontrabandë gjigante cigaresh dhëndri i Shefqet Kastratit Dario Jashari me të atin Ilir Jashari , SPAK i shpall organizatë kriminale dhe lëshon 30 urdhër arreste

Në të vërtetë, sipas provave të mbledhura nga SPAK, vetë subjekti shqiptar vendoste “destinacionin” e ngarkesave, i cili rezultonte inekzistent. Në të paktën 30 raste të dokumentuara, cigaret që duhej të eksportoheshin janë shkarkuar në territorin shqiptar, për t’u shpërndarë më tej në mënyrë klandestine në vendet fqinje dhe në Bashkimin Europian.

Falsifikim në dogana

Një element kyç i skemës ishte bashkëpunimi me punonjës të strukturave doganore, të cilët nuk i shoqëronin ngarkesat deri në daljen e tyre nga territori shqiptar, siç e kërkon ligji. Për më tepër, në sistemin zyrtar doganor “Asycuda World” regjistrohej eksport i rremë, duke krijuar përshtypjen se mallrat kishin kaluar kufirin, ndërkohë që në realitet ato përfundonin në tregun e zi.

Gjithashtu, paketat e cigareve prodhoheshin pa pullë fiskale, çka përbën shkelje të hapur të Ligjit të Akcizës dhe ndalon çdo mundësi kontrolli nga shtetet ku këto mallra përfundojnë për t’u shitur.

Humbje të mëdha financiare për Shqipërinë dhe BE-në

Dëmi ndaj buxhetit të shtetit shqiptar llogaritet në 3.66 miliardë lekë. Në një rast të identifikuar, kontrabanda drejt vendeve të BE-së mund të kishte shkaktuar një humbje prej 2.8 milionë eurosh, ndërsa në katër raste të tjera, grupi ka arritur me sukses qëllimin e tij, duke shkaktuar një humbje prej rreth 10 milionë euro për shtetet anëtare të BE-së.

Hetime ndërkombëtare dhe masa sigurie

SPAK ka vendosur një sërë masash sigurie ndaj të dyshuarve, përfshirë arrest me burg për krerët, si dhe për disa shtetas të tjerë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia. Ndaj rreth 40 personave, përfshirë punonjës doganash, janë marrë masa sigurie që variojnë nga arresti në burg deri tek ndalimi i daljes nga territori dhe detyrimi për paraqitje në polici.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet britanike (NCA), kosovare, greke dhe qipriote, të cilat kanë kontribuar në ekzekutimin e urdhrave për ndihmë të ndërsjellë juridike dhe identifikimin e rrjetit ndërkombëtar të shpërndarjes.

Një provë për drejtësinë

Rasti i “Albania Tabak” përbën një test kyç për funksionimin e drejtësisë së re, në një vend ku lidhjet midis biznesit, politikës dhe institucioneve publike janë përherë në fokus të kritikave dhe dyshimeve për pandëshkueshmëri. Nëse konfirmohen akuzat, ky do të jetë një nga rastet më domethënëse të goditjes së kontrabandës industriale në Shqipëri./gazetajonë