gf-1770366014

Dy persona janë arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi akuzohen se kanë përshatur një banesë për përgatitjen e drogës, në zonën e Ali Demit.

Dy kushërinjtë, Elvis Lezo, 42 vjeç dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, u arrestuan në flagrancë në banesën e ture në lagjen ‘Ali Demi’.

Ambjenti ishte për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shpërndarjen dhe shitjen në lokalet e natës.

Nga kontrolli i ushtruar në këtë ambient u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA), si dhe dy aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Blue Punisher”.

Kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre, për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen, vihen në pranga 2 shtetas (të afërm).

Sekuestrohen 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA). 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të një procedimi penal në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Punisher”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, banues në Tiranë (të afërm).

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e këtyre shtetasve, në rrugën “Ali Demi”, ku kanë konstatuar një ambient që ata e kishin përshtatur për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen në lokalet e natës.

Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA) dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.