Shqipëria “kampione” në ndërtim, por debati për origjinën e parave dhe një flluskë të mundshme po ndizet
Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Evropë për intensitetin e ndërtimit, por përballë kullave dhe apartamenteve që ndërtohen çdo ditë, po thellohet edhe debati mbi burimet e financimit dhe qëndrueshmërinë e tregut. Debati ka kaluar përtej tryezave të përditshme dhe ka hyrë fuqishëm në studiot televizive, ku palët ndajnë qëndrime të kundërta.
Mbrëmjen e 26 qershorit, një debat i fortë u zhvillua mes ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, dhe përfaqësuesit të agjencisë imobiliare “Mikado”, Dritan Shakohoxha. Malaj paralajmëroi se futja e parasë së zezë në sektorin e ndërtimit po deformon tregun dhe po përjashton shtresat e mesme nga mundësia për të blerë një banesë. Ai nënvizoi se ndërtimi mbetet sektori më i rrezikuar për pastrim parash sipas manualeve ndërkombëtare, ndërsa solli si shembull ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të frenuar kërkesën fiktive në treg.
Shakohoxha, nga ana tjetër, këmbënguli se kërkesa për apartamente në Shqipëri është e lartë dhe reale, duke refuzuar lidhjen mes rritjes së çmimeve dhe parasë kriminale.
Në këtë debat u përfshi edhe Valon Batusha nga agjencia kosovare “Pro Real Estate”, i cili solli një krahasim mes tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës. “Në Prishtinë çmimet janë rreth 1.800-1.900 euro për metër katror, ndërsa në Shqipëri është dyfishi,” tha ai, duke shtuar se kthimi i investimit në tregun shqiptar është gjithnjë e më i vështirë.
Një tjetër zë kritik ishte eksperti Klodian Muço, i cili ngriti shqetësimin për rënien e popullsisë në Tiranë ndërkohë që lejet e ndërtimit vazhdojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar. Ai paralajmëroi një “flluskë imobiliare” që po mbështillet rreth sektorit dhe që mund të ketë pasoja serioze për sistemin financiar.
Juristi Eduard Halimi i referohet përgjimeve të siguruara nga SPAK përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”, sipas të cilave një pjesë e të ardhurave të investuara në ndërtim burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ai paralajmëroi se çdo bllokim masiv nga SPAK do të sillte kolaps në treg, në ekonomi dhe në bankat që e mbështesin këtë sektor.
Ndërkohë, rastet konkrete të mashtrimeve ndaj qytetarëve shtojnë edhe më shumë dyshimet mbi rregullsinë e sektorit. Një qytetare nga Vlora, Katrina Mitraj, denoncoi në emisionin “Stop” se, ndonëse e ka shlyer që prej vitit 2019 apartamentin e blerë te firma “Binaj 2003”, ndërtuesi Gentjan Binaj po e shantazhon për të paguar më shumë, duke injoruar kontratën noteriale.
“Kam paguar të gjithë shumën, por pallati nuk ka përfunduar. Më thotë ose të marr më pak lekët që kam dhënë, ose të paguaj më shumë se ç’është rënë dakord në kontratë,” deklaroi ajo.
Administratorit të firmës, i kontaktuar nga emisioni, pranoi se nuk e konsideron më të vlefshme kontratën dhe se “është vetë zot i punës së vet”, duke nxjerrë në pah boshllëqet ligjore dhe mungesën e mbikëqyrjes efektive.
Gazetarja Ola Xama, në një prononcim për MCNTV, theksoi se në Shqipëri ka vite që është krijuar një flluskë e vërtetë në sektorin e ndërtimit, me çmime që shkojnë deri në 10 mijë euro për metër katror në qendër të Tiranës. Sipas saj, një pjesë e madhe e investimeve nuk kalojnë përmes bankave dhe nuk justifikohen me burime zyrtare, çka dëshmon për përfshirjen e parasë informale në ndërtim.
“Kur të ndërpriten burimet e paligjshme, shumë nga këto kulla dhe pallate do mbeten përgjysmë,” tha Xama. Ajo theksoi se sistemi bankar është i ekspozuar ndaj një krize të mundshme që vjen nga sektori imobiliar, ndërsa theksoi se zbatimi rigoroz i ligjit është i vetmi mekanizëm për të shmangur një kolaps të përgjithshëm.
Në këto kushte, sfidat janë të shumta: nga rregullimi i tregut imobiliar, te garantimi i të drejtave të blerësve dhe goditja e financimeve të paligjshme. Ndërhyrja e institucioneve ligjzbatuese dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit ligjor mbeten të domosdoshme për të shmangur një krizë të paralajmëruar që nuk është më vetëm teori, por realitet në formim. /gazetajonë



