Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), mes projekteve të miratuara për ndërtime të reja në qytetin e Vlorës, bien në sy dy komplekse të mëdha rezidenciale: “Flatiron of Vlora”, një projekt me dy kulla 20 dhe 21 kate në rrugën Dhimitër Konomi, si dhe një godinë banimi dhe shërbimesh me 12 dhe 13 kate.
Një nga kompanitë e përfshira në këto projekte është “Eve Construction”, e regjistruar në vitin 2022 dhe në pronësi të Viron Robajt.
Ai është një emër i njohur për publikun, pasi në të kaluarën ka qenë i dënuar për një nga ngjarjet më të rënda të emigracionit shqiptar drejt Italisë.

Viron Robaj u dënua me 25 vite burg për rolin e tij si skafist në tragjedinë e 9 janarit 2004, kur një gomone me dhjetëra shqiptarë u mbyt në ujërat e Otrantos, duke shkaktuar humbjen e 28 jetëve. Pas arrestimit në Itali dhe ekstradimit në Shqipëri, ai përfundoi dënimin e tij dhe prej disa vitesh është i lirë.
Tani, Robaj ka hyrë në sektorin e ndërtimit dhe është një nga investitorët që ka marrë miratimin për projekte të rëndësishme në qytetin bregdetar. Dokumentet tregojnë se kompania e tij bashkëpunon me dy firma të tjera ndërtimi në këto projekte të mëdha.
LAJMI MBI EKSTRADIMIN NË 2015
11 vjet nga tragjedia e Otrantos, një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie, skafisti shqiptar Viron Robaj ka lënë qelinë e Peruxhias për tu ekstraduar drejt Shqipërisë, ku dhe do të vuajë dënimin me 25 vite burg dhënë nga Gjykata e Vlorës.

Skafisti shqiptar Viron Robaj ishte arrestuar më herët nga Guardia di Finanza e Perugias. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar që prej 2005.
Policia italiane e identifikoi atë me anë të gjurmëve. Atij iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.
Shteti fqinj njoftoi menjëherë zyrat e Interpolit shqiptar, të cilat bënë të mundur dhe identifikimin e autorëve të dyshuar që lëshuan pasaportën biometrike false.
Më 5 shkurt të këtij viti, policia e Vlorës arrestoi dy punonjës policie, Leonel Begajn, me detyrë inspektor në komisariatin e këtij qyteti, dhe kryeinspektorin Lirim Lamaj, si përgjegjës për pajisjen me pasaportë false të Viron Robajt.
“Nga hetimet e kryera rezultoi se Leonel Begaj, me cilësinë e personit që pranon aplikimet për pajisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me Lirim Lamajn, në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, në 27 nëntor të vitit të kaluar kanë pajisur me mjet identifikimi Viron Robajn, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.. Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”thuhej në komunikatën e policisë.
Ishte ora 18:00 e 9 janarit 2004 kur nga Shqipëria në Itali u nis një skaf me emigrantë, të cilët kishin paguar për kalim 1.500 € secilit. Pak orë pas skafi u mbyt në det të hapur në Gjirin e Otrantos, duke vrarë 21 njerëz dhe 7 të humbur.
Një tragjedi e parandalueshme, sipas hetimeve të kryera nga autoritetet shqiptare, në qoftë se kontrabandistët do të kishin raportuar në kohë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mundësohej shpëtimi në kohë. /gazetajone



