Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte paralajmëruar rreth një javë e gjysmë para sulmit të 7 tetorit 2023 se Hamasi po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit, pretendon një investigim i gazetës Haaretz.
Sipas raportimit, paralajmërimi iu dha drejtpërdrejt Netanyahut nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed, gjatë një telefonate rreth 45-minutëshe në fund të shtatorit 2023.
Lideri i Emirateve të Bashkuara Arabe i shprehu shqetësimin e tij për planet e Yahya Sinwarit dhe paralajmëroi se një sulm i madh mund të shkaktonte gjakderdhje dhe destabilizim në të gjithë rajonin.
Investigimi, i bazuar në dhjetëra burime në Izrael dhe jashtë tij, dokumente të brendshme, korrespondencë dhe regjistrime, pretendon se Netanyahu e mori paralajmërimin me qetësi.
Sipas burimeve të cituara, ai i tha bin Zayed se besonte se Hamasi mund të tentonte një operacion në Bregun Perëndimor dhe se Izraeli ishte i përgatitur për çdo skenar.
Haaretz pretendon se paralajmërimi nuk iu përcoll më pas drejtuesve kryesorë të aparatit të sigurisë izraelite, përfshirë kreun e shërbimit të inteligjencës dhe sigurisë së brendshme të Izraelit (Shin Bet-it), drejtorin e Mossadit dhe shefin e Shtabit të Ushtrisë.
Megjithatë, sinjale të tjera për një përshkallëzim të mundshëm kishin mbërritur te autoritetet izraelite.
Në shtator, Yahya Sinwar i kishte thënë një ndërmjetësi palestinez se po përgatiste një “surprizë të madhe” dhe kishte përdorur fjalën “zilzal”, që në arabisht do të thotë “tërmet”.
Ky informacion iu përcoll Shin Bet-it më 15 shtator. Dy ditë më vonë u zhvillua një takim i sigurisë ku morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe përfaqësues të inteligjencës ushtarake.
Kreu i Shin Bet-it, Ronen Bar, paralajmëroi për mundësinë e një përshkallëzimi dhe kërkoi masa më të forta mbrojtëse në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Sipas investigimit, edhe kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kontaktoi Netanyahun në ditët para sulmit dhe e paralajmëroi për një operacion “të pazakontë” dhe potencialisht të rrezikshëm që Hamasi mund të ishte duke përgatitur.
Në të njëjtën kohë, Izraeli dhe Hamasi kishin zhvilluar kontakte sekrete për një marrëveshje që synonte uljen e tensioneve në Gaza.
Negociatat përfshinin lehtësimin e bllokadës, rritjen e furnizimeve dhe krijimin e mundësive ekonomike për palestinezët, ndërsa në tryezë ishte edhe një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve.
Sipas Haaretz, deri në fund të gushtit 2023 Netanyahu kishte miratuar në parim lirimin e 30 të burgosurve palestinezë, përfshirë 20 të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të katër izraelitëve të mbajtur në Gaza. Megjithatë, mbledhja e komitetit ministror që duhej të miratonte marrëveshjen u shty vazhdimisht dhe negociatat përfundimisht ngecën.
Më 7 tetor 2023, Hamasi nisi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit, duke shkaktuar një prej krizave më të rënda të sigurisë në historinë e vendit dhe duke çuar në marrjen peng të qindra personave.
Investigimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtuan ofertat për lirimin e pengjeve në ditët e para të luftës.
Sipas burimeve të cituara, pati kontakte për lirimin e disa civilëve, ndërsa Katari ofroi ndërmjetësimin mes palëve.
Megjithatë, në ditët e para pas sulmit, autoritetet izraelite ishin të përqendruara te kundërpërgjigjja ushtarake dhe lufta ndaj Hamasit.
Zyra e Netanyahut e ka mohuar kategorikisht investigimin e Haaretz, duke e cilësuar atë si “një gënjeshtër absolute”.
Sipas saj, Netanyahu nuk ka zhvilluar bisedë me presidentin e Emirateve gjatë periudhës në fjalë dhe nuk ka marrë asnjë paralajmërim prej tij.
Edhe ish-kreu i Shin Bet-it, Ronen Bar, dhe ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, Herzl Halevi, kanë deklaruar se nuk ishin informuar për paralajmërimin që, sipas Haaretz, kishte ardhur nga presidenti i Emirateve.
Gazeta thotë se ka kontaktuar me presidentin e Emirateve për një reagim, por nuk ka marrë përgjigje.



