DENONCIMI/ Plasin vjedhjet në Rinas, punëtorët e Shefqet Kastratit fusin duart te valixhet e udhëtarëve
Një qytetar ka denoncuar publikisht në faqen “Lolita” një rast të përsëritur vjedhjeje të sendeve personale nga valixhja e tij, pas kryerjes së check-in në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
“Është hera e dytë që më ndodh kjo gjë. Më kanë hapur valixhen pas check-in dhe më kanë vjedhur sende personale me një vlerë të caktuar. Pa diskutim, duke njohur markat, kanë përzgjedhur me kujdes çfarë të marrin nga gjithë valixhja,” – shkruan qytetari.
Sipas tij, vjedhjet ndodhin gjithmonë kur udhëton nga Shqipëria drejt një destinacioni tjetër, duke ngritur dyshime serioze për një fenomen të përsëritur dhe të organizuar.

“Edhe pse, dikur, sikur u arrestuan ata që vidhnin valixhet, duket se nuk paskan fund vjedhjet,” – shton ai, duke paralajmëruar udhëtarët që të mos bëjnë të njëjtin gabim dhe të mbajnë me vete në çantën e dorës çdo send me vlerë.
Ky denoncim i shtohet shqetësimeve të mëparshme për sigurinë dhe integritetin e bagazheve në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit. Vetëm pak muaj më parë, një biznesmen që udhëtonte nga Tirana drejt Athinës denoncoi vjedhjen e një ore të shtrenjtë nga valixhja e tij, çka çoi në arrestimin e një punonjësi të aeroportit.
Ngjarjet e përsëritura vënë në pikëpyetje masat reale të kontrollit dhe sigurisë në Aeroportin e Rinasit, ndërsa autoritetet ende nuk kanë ofruar garanci për ndaljen e këtyre incidenteve që cënojnë drejtpërdrejt të drejtën e udhëtarëve për të udhëtuar të sigurt./GAZETAJONE


