euro-ne-pikiate.png

Euro e ka nisur muajin maj në rënie dhe ka arritur nivelet më të ulëta të këtij viti në kursin me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 98.2 lekë.

Këto vlera të kursit ishin shënuar për herë të fundit në muajin janar të këtij viti, ndërkohë që raportet mes Euros dhe Lekut po i afrohen përsëri niveleve më të ulëta historike, që ishin regjistruar në fund të vitit 2024.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, një rënie e Euros në këto nivele me fillimin e sezonit veror ishte e pritshme.

Sipas tyre, kjo rënie i detyrohet një rritje të ofertës valutore në treg, kryesisht për dy arsye.

Së pari, fundjava e gjatë ka sjellë fluks të shtuar turistësh nga Kosova e Maqedonia e Veriut, duke sjellë më shumë valutë.

Së dyti, historikisht me afrimin e ditës së zgjedhjeve ka një zhvlerësim të monedhës së përbashkët, që mund të lidhet me përdorimin e eurove në fushatë.

Tendenca

Edhe vitin e kaluar, kursi i karakterizua nga një tendencë e mbiçmimit të Euros ndaj Lekut, që u kufizua vetëm prej ndërhyrjeve të paprecedenta të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, dujke arritur vlerën më të larta historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.

Me rënien e inflacionit poshtë objektivit prej 3%, Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor për të mos lejuar mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës vendase.

Pavarësisht ndërhyrjeve, kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Gjatë muajit nëntor 2024, kursi i Euros regjistroi edhe nivelin më të ulët historik në vlerën e 98.11 lekëve, ndërsa e mbylli vitin 2024 shumë afër kësaj vlere.

Në mungesë të këtyre ndërhyrjeve, është e qartë se rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun do të kishte qenë edhe më e madhe.

Tendencat e kursit të këmbimit duken të jenë të ngjashme dhe këtë vit. Sipas agjentëve, oferta valutore duket në rritje, megjithëse rritja e turistëve të huaj, të paktën sipas statistikave të deritanishme, është ngadalësuar ndjeshëm. Për 3-mujorin 2025, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.