Kryeministrit Edi Rama nuk i ka dalë “inati” me takimin elektoral të Partisë Demokratike në Korçë të disa ditëve më parë, ku mes personave që folën në podium ishte dhe personazhi i TikTok, Ilir Vrenozi, që lëshoi disa fyerje të cilat u duartrokitën nga salla.
Nga sheshi përpara Katedrales së Korçës, kreu i qeverisë listoi arsyet se përse duhet të votohet edhe njëherë Partia Socialiste në këto zgjedhje, mes të cilave dhe reformën në drejtësi, e cila sipas Ramës ka goditur dhe drunjtë e shtrembër brenda mazhorancës.
“Nuk më del inati dhe me atë kënetën porno-politike. Në atë pallat sporti është çnderuar Korça, të gjithë ata që kanë kënduar serenata. Kur të tjerët nuk e dinin ku binte Europa, Korça konsiderohej Parisi i vogël.
Kemi një moment kur shqiptarët po jetojnë një përpjekje të barazisë para ligjit. Nuk ka qenë kurrë barazia para ligjit një realitet për shqiptarët. Vijnë këta bashkë me ca të tjerë që shtrihen në berberhanet e debateve politike dhe bëjnë të habiturin si votojnë PS.
Këta nuk dinë të bëjnë aritmetikë, ministrat që kanë pasur problem me drejtësinë nuk janë sa gishtat e dorës. Po edhe sikur të jetë kështu, kush e solli barazinë para ligjit, këta apo Stamo Dumua. Këta kujtojnë se do ulim ne se mes nesh ka dhe drurë të shtrembër, nuk janë në vete. Jemi krenar që krijuam këtë realitet të ri, ndamë pushtetet dhe i dhamë sens shtetbërjes demokratike”, tha Rama në Korçë.
“Përse do të shkojmë më 11 maj ne? Për gjithë këtë shpresë të madhe apo për një politikan të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë dhe tani dhe zyrtarisht të rrjedhur. Nuk diskutohet. Përse do të shkojmë më 11 maj ne? Për Shqipërinë me BE në Evropë apo për kënetë dhe për të zgjidhur hallin e një individi të vetëm që medemek do hiqte dhe “non gratën”. E hoqi gjë se ja kisha vënë unë me Soros se solli një Latif nga SHBA dhe do hutonte Shqipërinë?
Latifi nga Amerika njësoj si korçari që lozte te gjeneral Gramafoni. Erdhi vërdallë dhe Latifi dhe iku, por i zgjuar, i mori dhe 6 milionë dollarë andej. Nga dolën. Apo 7 herë 7 bëjnë 6 milion.
Nëse ke një votë për ta hedhur, ke për “qepalla BE” ose rri në shtëpi dhe lëri të tjerët të vendosin për ty. Unë nuk jam korçar por kam shokë nga Korça. T’i japin një mësim të hidhur asaj kënetës së Pallatit të Sportit që të mos guxojnë. të nxjerrin nga goja fjalë që pështyjnë në fytyrën e atyre që i kanë dhënë Korçës bukuri e nder”, tha Rama.



