Përfundoi me vrasje, Albascan e Elton dhe Elision Jorgjis merr tenderin e radhës pas skandalit me skanerin në burgun e Peqinit
Kompania “AlbaScan”, e cila është përfolur gjerësisht për një prej skandaleve më të mëdha në sistemin e sigurisë së burgjeve, ka siguruar së fundmi një kontratë të re të financuar nga buxheti i shtetit. Në bashkëpunim me “Laviva Technologies” shpk, ajo ka fituar tenderin e Gardës së Republikës për pajisje komunikimi dhe elektronike, me një vlerë prej 38.3 milionë lekësh pa TVSH, që përbën 94.48% të fondit limit të përcaktuar në dokumentacionin e prokurimit.
Procedura është zhvilluar në formën e një tenderi të kufizuar në fushën e sigurisë, me akses të kufizuar për publikun dhe transparencë të munguar. Fillimisht, në garë ishte kualifikuar edhe kompania “AES Communication” shpk, por kjo e fundit nuk dorëzoi ofertë në fazën finale të vlerësimit, duke e lënë të vetme në garë konsorciumin “Laviva – AlbaScan”. Kjo situatë ka ngjallur dyshime mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës, duke sjellë spekulime mbi një proces të mbyllur dhe të paracaktuar.
“AlbaScan” u bë emër i njohur pas ngjarjes së rëndë në burgun e Peqinit, ku një i burgosur arriti të fusë një armë në institucion dhe të kryejë një vrasje brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Pajisjet që duhej të detektonin armën – përfshirë skanerin dhe kamerat – rezultuan jashtë funksionit. Megjithatë, kompania ka vazhduar të përfitojë shuma të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, me afro 300 mijë euro në muaj të paguara nga institucione të ndryshme si Thesari i Shtetit dhe AKSHI për mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë në burgje, të cilat në praktikë nuk funksiononin.
Kompania është themeluar në vitin 2017 dhe në atë kohë kishte një qarkullim modest prej vetëm 50 mijë eurosh në vit. Në vitin 2019 ajo u ble nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgji për shumën simbolike prej 150 mijë lekësh, dhe që nga ajo kohë ka njohur një rritje të jashtëzakonshme, duke arritur të sigurojë rreth 2 milionë euro në muaj përmes kontratave publike.
Pavarësisht problemeve të rënda që kanë rezultuar në mungesë funksionaliteti të pajisjeve të sigurisë, nuk është marrë asnjë masë ndaj kompanisë, duke sjellë një precedent të rrezikshëm: kompanitë që dështojnë në përmbushjen e kontratave, jo vetëm që nuk penalizohen, por shpërblehen me tenderë të rinj. Rasti i “AlbaScan” ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën e ndarjes së fondeve publike dhe mungesën e llogaridhënies për shërbimet kritike të sigurisë në vend. /gazetajone


