pasuri sekuestro

Një sërë pasurish të paluajtshme dhe automjete janë sekuestruar nga autoritetet në Gjirokastër ndaj një 45-vjeçari, i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të trafikut të drogës.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Sipas njoftimit zyrtar, është vendosur masa e sekuestros preventive ndaj pasurive në pronësi të shtetasit K.B., i njohur edhe me emrin S.B., si dhe të disa familjarëve të tij. Ai dyshohet për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:

  • Një godinë me funksion bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;

  • Një ndërtesë dykatëshe me papafingo, me sipërfaqe totale 393.3 m², në fshatin Valare, Gjirokastër;

  • Një tjetër ndërtesë dykatëshe, me sipërfaqe ndërtimi 235 m², po ashtu në Valare;

  • Truall me destinacion servis makinash, me sipërfaqe 1216 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 276 m², në lagjen “Grehot”;

  • Një ndërtesë (lokal) me sipërfaqe 30 m², në të njëjtën lagje;

  • Një automjet tip “Audi Q7”;

  • Tetë automjete të tjera në pronësi të 45-vjeçarit dhe të afërmve të tij, për të cilat vijon puna për lokalizimin dhe sekuestrimin.

Autoritetet theksojnë se hetimet do të vijojnë në funksion të identifikimit të pasurive të tjera që mund të jenë përfituar nga aktiviteti kriminal, ndërsa dosja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.