kkkkkkkkk-6ae6149bcfdbe-6ae61a2a0a36b.jfif

Një aksident tragjik në Itali i ka marrë jetën 20-vjeçarit shqiptar Thomas Qirjaj, i cili u përplas nga një automjet teksa kishte zbritur nga makina për të vendosur trekëndëshin sinjalizues, pas një aksidenti në autostradë.

Sipas mediave italiane ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, në një autostradë në drejtim të Milanos. I riu udhëtonte së bashku me katër shokë në një automjet tip ‘Volvo’ kur makina u përplas me barrierën ndarëse të rrugës.

Pas përplasjes, Thomas Qirjaj zbriti nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë për aksidentin. Në ato momente, ai u përplas nga një fuoristradë që drejtohej nga një 25-vjeçar, i cili nuk arriti të shmangte përplasjen.

Pavarësisht mbërritjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, plagët e marra rezultuan fatale. 20-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, por ndërroi jetë pak më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.

Katër shokët që udhëtonin me të nuk pësuan lëndime të rënda. Thomas Qirjaj kishte lindur në Itali, ku familja e tij shqiptare ishte vendosur prej vitesh.