Vrasja e Artur Bashimit në qendër të Athinës rezulton të ketë qenë një atentat me pagesë. Autori i vrasjes së 47-vjeçarit shqiptar ishte një 27-vjeçar grek, përdorues droge. Ai mori përsipër të ekzekutonte Artur Bashimin për 15,000 euro, duke konfirmuar dyshimet se kemi të bëjmë me një vrasje të planifikuar. Sasia e parave që kishte marrë pas vrasjes, i kishte bërë përshtypje edhe nënës së vrasësit, e cila nuk ishte në dijeni të ekzekutimit. Ajo i kishte thënë djalit 27-vjeçar se nuk i pëlqente fakti që krejt papritur kishte grumbulluar një shumë parash. “Papritur t’u gjendën plot para dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Që nga dita që ke marrë këto para, nuk më ke qerasur asnjë vakt”, i ka thënë ajo djalit të saj, raportojnë mediat greke.
Sipas hetimeve, autori kishte ndjekur viktimën me një motorr blu pranë një kafeneje që ai frekuentonte, përpara se ta qëllonte me armë. Pas sulmit, arma i ishte bllokuar dhe ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes me motor, të cilin e parkoi në një zonë bregdetare dhe më pas u kthyë në shtëpi me taksi. Identifikimi i tij u bë i mundur falë dëshmisë së një gruaje që e njihte autorin. Sipas dëshmisë së saj, autori i kishte kërkuar të parkonte motorrin në hyrje të ndërtesës së apartamentit të saj në fillim të qershorit. Kur ajo u kthye më 20 gusht, motorri ishte zhdukur.
Ngjarja po hetohet si vrasje me pagesë, pasi edhe autori i krimit u shpreh se ekzekutimi i 47-vjeçarit shqiptar u urdhërua nga brenda burgjeve, por duke shtuar se nuk e njeh ‘udhëruesin’ dhe as arsyet pse donte ta ekzekutonte.
Megjithatë shtoi se urdhëri për vrasjen u dha nga brenda burgjeve. Mediat fqinje shkruajnë se vrasja ishte një mesazh për vëllain e viktimës, i cili jeton në Larisa dhe është i përfshirë në rrjetet kriminale.
Artur Bashimi ishte liruar nga burgu në prill dhe kishte precedentë penalë për grabitje, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Artur Bashimi rezulton të jetë vëllai i 38-vjecarit Marsel Bashimi alias Marsel Shkurtaj alias Marsel Gozhita, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi e Shqipëri.
Autoritetet po hetojnë mundësinë që urdhri për vrasjen të jetë dhënë nga brenda burgut, pasi vëllai i viktimës, Marsel Bashimi (i njohur edhe me emra të tjerë), ndodhet i burgosur në Trikalla dhe ka qenë i përfshirë në disa incidente të dhunshme me të burgosur të tjerë.
Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku.
47-vjeçari Artur Bashimi, u vra mbrëmjen e 18 gushtit në Athinë me një plumb në kokë. Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik.
Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi.
Hetimet greke po verifikojnë nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal të vëllezërve Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe të tjera.



