-900-0-1757490592x640-0-b8c601d7dfdeb167bed7645d5f8e7f07-387

Shqipëria po përballet me një situatë shqetësuese në fushën e sigurisë ushqimore, ku vetëm pak ditë më parë u bllokuan tonelata pjeshkësh dhe speca të kuq, për shkak të nivelit të lartë të pesticidëve. Kësaj liste iu shtua edhe 8 ton domate të ndaluara nga Kroacia. Për këtë rast, 3 persona janë arrestuar nga policia në Berat me urdhër të Prokurorisë pasi autoritet në Kroaci bllokuan dhe më pas asgjësuan rreth 8 tonë domate të ardhura nga Shqipëria që rezultuan me nivel të lartë pesticidesh.

Në pranga kanë rënë: Mariglen Qorri, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve, i dyshuar per veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ronaldo Lika, inspektorë të AKU Berat, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Griselda Doksani, inspektore për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Këta të dy, me detyrë inspektorë, kanë neglizhuar detyrimet ligjore duke lejuar kalimin e produkteve të dyshimta në treg, ndërsa pronari i kompanisë është i akuzuar për falsifikim dokumentacioni dhe mashtrim me produkte të rrezikshme për konsum njerëzor.

Njoftimi:

Berat/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, operacioni “Again”.

Prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit Kroat, perime me nivel të lartë preparati “Chlorfenapyr”, si dhe me fatura fiktive blerjeje, vihet në pranga administratori i subjektit.

Në pranga dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.

Sekuestrohen perime të ndryshme të cilat dyshohet të jenë të kontaminuara me sasi preparati.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin “Again”.

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas, konkretisht:

-M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë;

-R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.

Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit M. Q., u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Vetëm pak ditë më parë u bllokuan tonelata me pjeshkë nga Kroacia dhe Bosnje Hercegovina. Gjithashtu edhe Sllovenia bllokoi specat e kuq me origjinë nga Shqipëria, për shkak të nivelit të lartë të pesticidëve.