640-0-1757063962xlathremporio-kafsimon-ano-liosia-754

Një operacion i gjerë i policisë greke ka çuar në zbardhjen e një skeme të sofistikuar kontrabande karburanti, ku të përfshirë rezultojnë edhe shtetas shqiptarë. Të arrestuarit janë biznesmeni Bashkim Sulkaj, 66 vjeç, dhe shoferi i tij Astrit Delilaj, 67 vjeç, të cilët akuzohen se kishin rol kyç në shpërndarjen e produkteve të kontrabanduara.

Sipas mediave greke, hetimi ka dokumentuar se rrjeti kriminal drejtohej nga shtetasi grek Thomas Stefanakos, i cili kishte ngritur dy nënsektorë, njëri prej të cilëve drejtohej nga Sulkaj. Organizata dyshohet se kishte lidhje me persona ende të paidentifikuar në Shqipëri, Bullgari dhe Poloni.

Një nga skemat e zbuluara përfshinte përdorimin e dokumenteve të falsifikuara në dogana. Ngarkesat deklaroheshin si benzinë pa plumb me destinacion Shqipërinë për një kompani të regjistruar si “JAMB SH.A.”. Në realitet, cisternat transportonin vajra nafte, një produkt me kosto më të ulët dhe i pataksuar me akcizë, i cili më pas përfundonte në tregun grek duke sjellë fitime të mëdha për organizatën.

Gjatë operacionit policor në Athinë dhe qytete të tjera, autoritetet sekuestruan mbi 250 mijë litra naftë dhe karburant të kontrabanduar, rreth 800 mijë euro cash, softuer të modifikuar për manipulimin e matësve në pikat e karburantit, armë zjarri dhe një flotë mjetesh transporti, duke përfshirë makina, kamionë dhe rimorkio.

Hetimet tregojnë se që nga fillimi i vitit 2025, rrjeti ka përfituar mbi 3 milionë euro nga kontrabanda dhe falsifikimi i karburantit.

Në Shqipëri, të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se Bashkim Sulkaj është pronar me 100% të aksioneve i kompanisë “ABBA OIL”, me seli në Libonik të Maliqit, ndërsa rezulton të ketë edhe pika karburanti në Tiranë dhe Maliq. Shoferi i tij, Astrit Delilaj, figuron i punësuar në aktivitetin e tij.

Autoritetet greke po bashkëpunojnë me ato shqiptare për të hetuar më tej lidhjet e rrjetit dhe identifikimin e individëve të tjerë të përfshirë. Rasti shihet si një nga operacionet më të mëdha të goditjes së kontrabandës së karburantit në rajon, duke ekspozuar mekanizmat e përdorur për evazion fiskal dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në tregun e ligjshëm të karburanteve. /gazetajone