Raiffeisen Bank, një nga bankat më të mëdha të sistemit bankar në Shqipëri bashkë me BKT dhe të tjera, janë në qendër të një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës për praktika që dyshohen si abuzive ndaj klientëve të saj.
Dyshimet lidhen me mënyrën se si bankat kanë administruar sigurimin e jetës për kredimarrësit hipotekorë dhe konsumatorë, duke kufizuar zgjedhjen vetëm tek një kompani e vetme sigurimi dhe duke krijuar avantazhe të padrejta financiare.
Siç mëson Gazeta Jonë, nga kontrolli i dokumentacionit dhe kontratave, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se Raiffeisen Bank SHA; BKT dhe banka të tjera kanë lidhur marrëveshje ekskluzive me kompaninë Sigal Life për sigurimin e jetës në kreditë konsumatore dhe hipotekore.
Në bazë të rregullave, çdo individ që merr një kredi hipotekore është i detyruar të ketë sigurim jete, por klientët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin shoqërinë e sigurimit. Në rastin e Raiffeisen dhe BKT, kjo e drejtë duket se është kufizuar, duke detyruar mijëra klientë të firmosin thuajse vetëm me një kompani sigurimi.
Sipas të dhënave të hetimit, gjatë periudhës së verifikuar janë prerë rreth 39 mijë polica sigurimi vetëm pranë kësaj shoqërie, çka i dha Sigal Life mbi 90% të tregut të sigurimit të jetës për kreditë e Raiffeisen Bank dhe diçka më pak për BKT.
Ky dominim tregu i krijuar nëpërmjet një marrëveshjeje të mbyllur ka sjellë jo vetëm përfitime të mëdha për kompaninë e sigurimit, por edhe të ardhura të konsiderueshme për bankën, e cila ka arkëtuar komisione të larta mbi çdo policë të lëshuar.
Autoriteti ka ngritur dyshime se sjellja e bankës përbën shkelje të neneve 4 dhe 9 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Neni 4 i referohet kufizimit dhe pengimit të konkurrencës së lirë në treg, ndërsa neni 9 ndalon praktikat e abuzimit me pozitën dominuese.
Me këtë skemë, Raiffeisen Bank dhe BKT dyshohet se kanë reduktuar mundësitë e klientëve për të krahasuar çmime dhe kushte me kompani të tjera sigurimesh, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e konkurrencës në tregun e sigurimeve të jetës.
Për kredimarrësit, kjo praktikë ka nënkuptuar kosto të shtuara dhe pamundësi për të zgjedhur ofertën më të favorshme. Shumë prej tyre dyshohet se janë detyruar të pranojnë sigurimin e propozuar nga banka, edhe nëse ai ishte më i shtrenjtë ose nuk i përmbushte nevojat e tyre reale. Për më tepër, të ardhurat e gjeneruara nga ky monopol i përkohshëm në treg janë shpërndarë si përfitime ndërmjet bankës dhe kompanisë së sigurimit, në dëm të konsumatorëve. /gazetajone



