IMG_4355

Zgjedhjet e parakohshme vendore në Tiranë nuk janë anashkaluar nga vëmendja e kryetarit të opozitës, Sali Berishës. Në emisionin “Opinion”, ai thotë se “Rama po bën çdo gjë për ta zhdukur Erion Veliajn”, por nuk e fsheh aspak mungesën e keqardhjes për këtë të fundit. Berisha thotë se do ta votojë shkarkimin e Veliajt, pasi këtë kanë kërkuar vazhdimisht edhe këshilltarët e opozitës.

Ju jeni dakord për këtë nismë?

Sali Berisha: E para, Edi Rama faktoi që po bën çdo gjë ta zhdukë përfundimisht Erion Veliaj  dhe unë ç’është e vërteta, për njeriun e vetëm që s’mund të kem kurrë keqardhje është Erion Veliaj. Ajo forca jonë politike u angazhua me 46 protesta, 46 javë nuk u nda, në kulmin e vapës, zhegut e rrebesheve kundër tij se e meritonte. Tjetër punë se Altin Troplini e mbron atë nga djegësat. Të akuzosh Arben Ahmetajn për djegësin e Tiranës që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim dhe që s’e ka firmosur ndonjëherë, Edi Rama dhe Erion Veliaj që e kanë firmosur dhe janë aktorët kryesorë.

A do të votoni ju për shkarkimin e Veliaj?

Sali Berisha: Pa asnjë diskutim, këshilltarët tanë të gjithë kanë kërkuar në çdo mbledhje të këshillit largimin e tij.

Sipas informacioneve që unë kam, Erion  Veliaj nuk do ta pranojë shkarkimin dhe do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. A duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese apo është taksative?

Sali Berisha: Se çfarë bën Erion Veliaj nuk e di, di që Edi Rama ka nënshtruar edhe grupin e fundit duke përdorur familjarët sepse një grup këshilltarësh aty kanë qenë krejtësisht kundër shkarkimit. Ai, janë marrë edhe sot në mëngjes, nuk i kanë pasur gati firmat e tyre apo votat e tyre.

Berisha tha se Veliajt po i cënohen të drejtat e njeriut në burg ku sipas tij po trajtohet në mënyrë çnjerëzore. Lideri i opozitës tha më tej se Veliaj u ka dhënë tendera NGO-ve që kanë transferuar para te e shoqja dhe e dyta biznesmenët kanë siguruar favore nga Veliaj duke sponsorizuar të shoqen.

“Veliaj u ka dhënë tendera NGO-ve që kanë transferuar para te e shoqja dhe, e dyta, biznesmenët kanë siguruar favore nga Veliaj duke sponsorizuar të shoqen. Këto janë të dhënat që kanë dalë.

Në vjedhje flagrante nuk mund të them që është kapur, siç është inceneratori. Por e kanë pohuar të gjithë ata, se në fillim e mohuan dëshmitarët. Që u gjetën 100 mijë euro në kasafortën e Arjolës, tha: “Nuk janë të miat.” Pastaj tha: “Janë të miat.”

Drejtësia është para këtyre dëshmive dhe drejtësia do të veprojë. Edi Rama, këtu nuk ka dyshim. Mënyra e trajtimit të tij në burg është në mënyrë absolute staliniste. E kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në burg. Nuk e pranoj. Më kanë thënë: “Pse e merr në mbrojtje?”, por për të drejtat e njeriut kurrë s’mund të kënaqemi pse nuk mbrohen.

Izolim total, duke i futur Ulsiun me një vrasës në qeli për ta kërcënuar. Pas Ulsiut, i futën një tjetër. Thuhet se edhe Gjushin e futën pas tij për t’i dhënë mesazh. Tjetër, asnjë takim. Avokati ndërkombëtar pse nuk pranohet? Çfarë është kjo?

Si mund të shkojë tjetri në sallë operacioni me policë? Kurrë s’ka ndodhur. Absolutisht asnjëherë. Jo vetëm të burgosur politikë, por edhe të tjerë. Polici shkonte te dera, por në sallë nuk imagjinohej se mund të futej. A e kuptoni që kjo është porosi e Edi Ramës? Polici, në radhë të parë, duhet të sterilizohet. Është një procedurë e tërë…” – tha Berisha.