Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar nga Burreli, i akuzuar për shantazh ndaj një vajze 23-vjeçare, përmes llogarive false të hapura në rrjetet sociale me fotografitë e saj.
Sipas uniformave blu, e reja denoncoi në polici se autori, Brandi Kasmi, i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së saj në rrjetet sociale dhe më pas kishte krijuar profile të rreme, ku e kërcënonte se do të publikonte fotot dhe videot nëse nuk i jepte para.
Pas hetimeve të shpejta të Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, u finalizua operacioni i koduar “The Ghost”, që çoi në arrestimin e të riut.
Gjatë kontrollit, policia i sekuestroi dy celularë ku u gjetën aktive llogaritë false të përdorura për shantazh. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia apelon qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shantazhi në internet, duke theksuar se rastet e tilla po marrin trajtim të menjëhershëm nga strukturat e specializuara.



