Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar sot unanimisht për shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj.
Kërkesa e paraqitur nga socialistët kërkonte shkarkimin e Veliajt për shkak të mungesës për më shumë se tre muaj në detyrë.
Vetë kryebashkiaku i burgosur dhe në pritje të gjykimit me akuza nga SPAK, argumentoi më herët se mungesa ishte shkaktuar kundër vullnetit të tij.
Në një mbledhje ku folën përfaqësues të opozitës por edhe këshilltarë socialistë, të karakterizuar nga mungesa e tensionit dhe prania e medieve, unanimisht u votua shkarkimi i Veliajt.
Erjona Bixho, Eris Beleraj, Joleza Koka, Ervin Dushku, Gaz Paja, Aldo Merkoci, Alfred Muharremi, Eris Bejleri, Alba Kepi, Fabjan Topollaj, Tedi Blushi dhe Romina Kuko munguan në seancë.
Vendimi tashmë shkon në dorë të Edi Ramës, pasi i takon Këshillit të Ministrave të vendosë shkarkimin e tij përfundimtar.
Në fakt, ishte Rama ai i cili shtyu para kërkesën për shkarkimin e Veliajt, pasi mori mandatin e katërt qeverisës dhe deklaroi se ka nevojë për një kryebashkiak që të jetë i pranishëm dhe të çojë para punët për kryeqytetin.
Këshilltarët opozitarë në Këshill theksuan se Veliaj duhet të ishte shkarkuar shtatë muaj më herët, dhe për shkelje të rënda në detyrë. Mbledhja për shkarkimin e Veliajt u drejtua nga kryetarja e këshillit bashkiak Megi Fino.
Shkarkimi i Veliajt pritet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës.



