Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e 8 shtatorit në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa shënjestër dyshohet se ishte Erogen Vaso (Brajoviç), i cili mbeti i plagosur së bashku me kamarieren 25-vjeçare.
Si mbërriti autori Ragip Gila në lokalin ‘Idromeno’, mëngjesin e datës 8 Shtator?
Dëshmitarë okularë rrëfyen se atentatori mbërriti përpara lokalit me një motoçikletë të cilën e la të ndezur përpara hyrjes. Dhe pasi zbriti nga motomjeti, me një armë në dorë të cilën e nxorri në ecje e sipër, u afrua me hapa të shpejtë drejt tavolinës ku ndodheshin të ulur Erogen Brajoviç, Liridon Kraja dhe Armando Pali. Gila, pasi qëlloi mbi tavolinën ku ishin ulur tre burrat, doli nga hyrja e pasme e lokalit.
Pasi la motorin e ndezur përpara lokalit ku kreu krimin dhe doli nga dera e pasme e objektit, ai doli në rrugë duke marrë me forcë një automjet. Pasi me të hipur në këtë automjet nën kërcënimin e armës, vetëm pak metra më tutje ai u përplas me një tjetër makinë, çka i kushtoi shumë në largimin në kohë.
I pari që ofroi dëshminë e tij mbi atë që i ndodhi në rrugë ishte drejtuesi i automjetit që nën kërcënimin e armës u detyrua të zbriste dhe t’i linte drejtimin e makinës, personit të veshur në të zeza. Në dosjen e siguruar nga ‘Në Shënjestër’, ai tregoi se ishte duke shkuar në punë, pasi sapo kishte lënë djalin në kopësht, kur një person me armë në dorë i doli përpara makinës dhe i drejtoi armën.
“Ishte ora 8.50, kur sapo kisha lënë djalin në kopsht, u ngjita në makinë dhe po bëhesha gati të shkoja në punë. Por vetëm pak sekonda pasi isha nisur, në rrugën ‘Martin Camaj’, një person i veshur me të zeza më doli përpara makinës dhe më drejtoi armën. Ai mbante në kokë një skafandër të errët, armë me ngjyrë gri si alumini. Personi mbante të veshur një xhakovento të errët, si edhe syze të errëta. Gjatësia e tij nuk më kujtohet, por mbaj mend që më foli në dialekt duke thënë: ‘del jashtë se s’të baj gja. Në atë moment i ndjerë në pozitë të ngushtë, nga brenda makinës, iu drejtova personit që më kishte vendosur përpara armën e zjarrit me fjalët: Çfarë të kam ba mor burrë? Aty menjëherë dola nga makina me duart lart, jam kthyer me shpinë dhe kam ecur në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes. Në këtë çast pasi pashë që personi i maskuar u largua me makinën time, unë mora në telefon gruan time dhe i tregova për ngjarjen”, ka treguar dëshmitari.
Një tjetër drejtuese automjeti që përjetoi momente ankthi ishte edhe shtetasja e identifikuar me inicialet Z. G. Ajo rrëfeu për grupin hetues se ishte duke lëvizur me makinën e saj, kur u përplas nga një automjet tip BMW me ngjyrë gri.
“Rreth orës 08.50 kam qenë duke ecur në rrugën e Katedrales për në drejtim të shkollës Pyjore. Në këtë moment unë kam parë që drejt meje po vinte me shpejtësi një automjet tip BMW, i cili lëvizte midis dy korsive. Në çast ndalova, por sërish nuk e parandalova dot përplasjen. Pasi automjeti erdhi dhe më goditi pranë dyerve si edhe në pjesën e prapakolpit nga ana e shoferit. Më pas pashë që shoferi i automjetit që më goditi mbante në kokë një skafandër si edhe një armë zjarri. Çka më bëri që të lajmëroja menjëherë policinë”, ka rrëfyer dëshmitarja me inicialet Z. G. /news24



