Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 personat e arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Elvis dhe Gjon Shkambi, si dhe roja i sigurisë Banush Koxhaj, kanë shprehur keqardhjen për vrasjen e gjyqtarit, ndërkohë që avokati mbrojtës i autorit ka dhënë më shumë detaje në lidhje me deklarimet e tyre në seancë. Avokati Kujtim Ibra, tha se Elvis Shkambi ka shprehur pendesë, dhe ka pretenduar se armën e mbante prej vitesh. Po ashtu ai tha se familja ka qenë e zhytur në borxhe, për shkak të shpenzimeve që kanë pasur seancat e gjata gjyqësore.
“Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do rikthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, por Shkëmbi pretendon se ka punuar në disa institucione që lidhen me sigurinë, por që do të sqarohet në një moment të dytë. Ai kaq deklaroi në seancë. Duhet ti kërkojmë falje familjes Kalaja, ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbtim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati.
Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”.
Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit.
Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.
Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin e detyrueshëm në librin e protokollit, siç kërkohet për çdo person që hyn në institucion. Megjithatë në dëshminë e sotme në seancën gjyqësore, Koxhaj ka pretenduar se ka marrë leje për shkak të një shqetësimi shëndetësor te kancelarja e gjykatës, por nuk është zëvendësuar nga një personel tjetër i sigurisë.



