Dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u lënduan nga shpërthimi dhe zjarri në një pallat pesëkatësh në Elbasan. Ndërtesa është shpallur e pabanueshme, ndërsa Instituti i Ndërtimit kërkon shembjen e saj për shkak të dëmtimeve të rënda.
Viktimat janë 82-vjeçarja Hatixhe Berisha dhe 69-vjeçari Hamit Ibra, pronari i apartamentit ku ndodhi shpërthimi. Trupi i pajetë i këtij të fundit u gjet nën rrënoja rreth orës 00:40, pas kërkimeve nga Policia, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit.
Sipas Policisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga grumbullimi i një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi më 4 nëntor, në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”. Flakët u përhapën në ndërtesë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe shembje të strukturave.
Dhjetë banorët e lënduar morën ndihmë mjekësore dhe, sipas njoftimit të policisë, janë larguar nga spitali.
Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, deklaroi nga vendngjarja se objekti, i ndërtuar në vitet ’70, ka pësuar goditje të forta nga shpërthimi dhe zjarri, ndaj duhet të merren masa për shembjen e tij.
Ajo theksoi se seksioni i dytë i godinës është i paaksesueshëm për banorët. Për hyrjet në pjesën tjetër kërkohet shoqërimi nga zjarrfikësit, ndërsa duhet të sigurohen edhe objektet përreth, në një rreze prej 30 metrash.
Kryebashkiaku Gledian Llatja njoftoi se familjet që nuk kanë mundur të strehohen tek të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u është siguruar edhe ushqimi.
Sipas tij, një pjesë e banorëve kanë dalë nga apartamentet vetëm me rrobat e trupit. Bashkia do të vijojë t’u sigurojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe përcaktimin e masave sipas legjislacionit për emergjencat civile.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me përfshirjen edhe të ekspertëve xhenierë të RENEA-s, për përcaktimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të shpërthimit.



