ai-nje-kolazh-pa-pershkrime-6aecccd242c95-6aeccd7527217

Pallati pesëkatësh në Elbasan, ku shpërthimi i fuqishëm i dyshuar nga një bombol gazi shkaktoi dy viktima dhe disa të plagosur, do të shembet. Godina është shpallur e pabanueshme dhe paraqet rrezik për sigurinë e banorëve, pasi shpërthimi ka shkaktuar dëme të rënda strukturore, jo vetëm në pjesën e shkatërruar, por edhe në pjesën tjetër të ndërtesës.

Gazetari Fatos Salliu, në një lidhje nga Elbasani për emisionin “Rudina” sqaroi se pas verifikimit në terren është marrë vendimi përfundimtar se pallati nuk mund të përdoret më për banim.

Banorët nuk do të lejohen të hyjnë lirisht në apartamentet e tyre për të nxjerrë sendet personale, por kjo do të mundësohet vetëm nën mbikëqyrjen e ekipeve të specializuara.

“Po, është vendim përfundimtar që është marrë sot, pasi vetë drejtoresha, bashkë me ekspertët, konstatuan nga afër, panë nga afër strukturën e këtij pallati dhe konstatuan që është i pabanueshëm. Madje, për banorët e pjesës tjetër, pra një pjesë e pallatit është totalisht e shkatërruar, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar dëmtime të rënda strukturore. E pyetur se si do të procedohet me banorët e tjerë, drejtoresha u shpreh që ata vetëm mund të marrin gjërat e tyre personale ose gjërat me vlerë, le të themi, vetëm përmes ekipeve të specializuara, pra qoftë të zjarrfikëses, qoftë të personave të specializuar në të tilla raste”, raportoi gazetari.

Ndërkohë, një nga shqetësimet kryesore mbetet sistemimi i familjeve që kanë mbetur pa banesa. Sipas gazetarit, pushteti lokal pritet të ndërhyjë për t’u ofruar atyre mbështetje dhe strehim të përkohshëm, ndërsa një nga mundësitë është përfitimi i bonusit të qirasë përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak.

Sa i përket së ardhmes së godinës, gazetari bëri të ditur se, nëse do të vendoset për prishjen e plotë të strukturës, parashikohet që në të njëjtin vend të ndërtohet një pallat i ri.

“Besoj se, nëse do të prishet kjo strukturë, në të njëjtin vend do të ndërtohet edhe pallati i ri. Por ajo që do të bëjë pushteti lokal është që do t’i sistemojë këta banorë, pra do t’u ofrojë ndihmë, strehim, qoftë përmes bonusit social, përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak, për t’i mbështetur që të qëndrojnë me qira ndoshta gjatë kësaj periudhe, deri në përfundimin e ndërtimit të pallatit”, bëri me dije Salliu.