policia

Një ngjarje e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit të sotëm zonën e Manzës.

Rreth orës 01:45 të datës 22 tetor 2025, pranë një karburanti, një konflikt i çastit dyshohet se ka përfunduar në tragjedi, duke lënë dy persona të vrarë me armë zjarri.

Sipas të dhënave zyrtare, viktimat janë shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz. Hetimet paraprake të grupit hetimor tregojnë se F. P. është vrarë nga shtetasi D. P., 21 vjeç, gjithashtu banues në Manëz, ndërsa A. K. dyshohet se është qëlluar për vdekje nga vetë F. P.

Policia e Shtetit ka nisur menjëherë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e autorit të dyshuar, D. P., i cili ndodhet ende në arrati.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë dhe për të mbledhur të gjitha provat që do të shërbejnë për dokumentimin ligjor të rastit.