aa330348-e399-4dd8-accc-a4808f480462-1761151712

Britania e Madhe ka sanksionuar edhe grupin Krasniqi, të cilët kanë falsifikuar dokumente përmes një laboratori të falsifikuar.

Anëtarët e bandave dhe financuesit e fshehtë që mundësojnë tregtinë e neveritshme të kontrabandës së njerëzve, përfshirë një rrjet falsifikimi të pasaportave të Kosovës, janë ndaluar të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë ngrirë nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e goditjes së qeverisë ndaj bandave që shfrytëzojnë një rrugë kyçe tranziti për migrim të paligjshëm.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false. Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.

“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar, personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”.

Bandat kanë kontrabanduar qindra mijëra njerëz në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor vitet e fundit, dhe Britania thotë se një e katërta e emigrantëve që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla përmes Kanalit Anglez kanë udhëtuar nëpër rajon.