523806224-694808486891398-3334175181407106225-n-6adc6e9b91c35

Ermalinda Rama, 26 vjeç, do të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi Prokuroria e Fierit e ka marrë të pandehur për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama, në fund të korrikut të vitit 2025. Bashkëshortja e viktimës është marrë e pandehur, pasi nga hetimet rezultoi se ndihmoi të bijën të fshihte gjurmët e krimit.

Ndaj Ermalinda Ramës rëndon akuza “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa Valbona Rama akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga hetimet rezultoi se më 23 korrik 2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, Ermalinda Rama vrau babain e saj, Anesti Rama, duke i shtrënguar qafën me një lak teli.

Pas krimit makabër, nëna e saj, Valbona, me qëllim që të fshihte të vërtetën, pastroi vendin e krimit dhe lau trupin e viktimës.

Por hetimet zbuluan krimin e rëndë dhe çuan në arrestimin e 26-vjeçares, e cila e vrau babain pasi ai kishte zbuluar një lidhje të saj me një burrë të martuar, shumë vite më të madh se ajo.