-900-0-1761990862xwhatsapp-image-2025-11-01-at-105405-am-725

25 vjeçari Marjan Kodheli, i cili vrau me thikë babain Pjetër Kodheli pak ditë më parë në fshatin Shkallnur të Durrësit, ka dalë para gjykatës për masën e sigurisë. Gjykata i ka caktuar një avokat kryesisht pasi familjarët nuk kanë paraqitur asnjë mbrojtës për të dhe është tërhequr për t’i lënë pak kohë për t’u njohur me aktet.

Sipas organit të akuzës, autori i ngjarjes ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar të jetë më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve, për ndarjen nga jeta të gjyshes dhe në sjellje ndaj tyre. Marjani ka deklaruar se “unë këtu jam”duke mos u dhënë rëndësi fjalëve të të atit. Në një moment, ka deklaruar se i ati është afruar dhe e ka kapur prej fyti.

Në këtë çast sipas prokurorisë, 25-vjeçari ka marrë një thikë aty pranë dhe ka qëlluar për vdekje të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin dhe meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka goditur sërish.

Thika 29 cm është gjetur në tavolinë ndërsa në krevat është gjetur shufër hekuri 34 cm, me të cilën e ka goditur të atin. E ëma ka deklaruar se kishte dalë jashtë për bagëtitë dhe ka dëgjuar britmat. Kur ka hyrë brenda banesës i ka gjetur të birit thikën dhe ia ka marrë nga dora. Familjarët e tjerë kanë deklaruar se Marjani ishte i qetë dhe i mbyllur por nuk kishte shfaqur probleme.

“Jam ndjerë i bllokuar, nuk merrja dot frymë”, ka thënë 25-vjeçari.

“Ai i ishte përgjigjur “këtu jam”, ndërsa shikonte telefonin. Në atë moment, i ati e kishte kapur për fyti dhe ai ishte ndjerë i bllokuar. Aty pranë kishte kapur një thikë dhe kishte goditur të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka  goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa”, tha Prokuroria.

“Nuk jam dakort për pjesën e rrezikshmërisë. Mua po më sulmonin, nuk e di kush e ka sulmuar. Mund të ketë qenë dikush tjeter që e ka sulmuar. Me vjen shumë keq që jam këtu për nje situatë të tillë. Mbase bejmë nje senacë tjeter kur te jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marë punë të ndershme në ndërtim.” – ka theksuar i riu.

“Ndjejmë keqardhje për ngjarjen. Marjani ende nuk i kupton veprimet që ka kryer. Kërkojmë të bëhet një akt ekspertimi mjeko ligjor psikik”, ka deklaruar avokatja.